Veliaj i hoqi kompetencat Anuela Ristanit, Kryeministria: Tirana e ka kryebashkiakun e zgjedhur

Erion Veliaj i ka hequr Anuela Ristanit kompetencat e deleguara për drejtimin e bashkisë së Tiranës, të cilat ajo i ushtronte që prej shkurtit 2025.

Urdhri i firmosur nga Veliaj shfuqizon aktin e 14 shkurtit 2025, por nuk përcakton një person tjetër që do të marrë kompetencat e Ristanit. Dokumenti nuk e shkarkon atë shprehimisht nga posti i nënkryetares, por i heq kompetencat e kryetarit që i ishin deleguar.

Në këto kushte, drejtoritë dhe strukturat e bashkisë vijojnë të ushtrojnë kompetencat që kanë me ligj ose që u janë deleguar më herët. Për aktet që kërkojnë firmën apo autoritetin e kryetarit, nevojitet Veliaj ose një person i autorizuar prej tij. Kjo ndodh ndërsa Veliaj ndodhet në paraburgim dhe nuk ushtron drejtpërdrejt drejtimin e përditshëm të bashkisë.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Kryeministria. Përmes zëdhënëses Manjola Hasa, ajo thekson se, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Erion Veliaj vijon të jetë kryetar i bashkisë së Tiranës.

Sipas Kryeministrisë, problemi lidhet me faktin se kryetari i zgjedhur ndodhet në qeli, ndërsa drejtimi i bashkisë është ushtruar përmes kompetencave të deleguara. Në reagim thuhet se ushtrimi i mandatit nga Veliaj nuk lidhet vetëm me të si i zgjedhur, por edhe me vullnetin e qytetarëve të Tiranës.

Kryeministria e cilëson situatën e krijuar si pasojë të mungesës fizike të kryebashkiakut nga institucioni dhe ngre shqetësimin për ndikimin që kjo mund të ketë në funksionimin e përditshëm të bashkisë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top