Katër vatra zjarri mbeten ende aktive në vend. Situata më problematike paraqitet në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës përballë Farkës. Zjarri është riaktivizuar dhe është zgjeruar në disa zona. Në terren po punojnë 25 zjarrfikës dhe forca të zonave të mbrojtura, të mbështetur nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.
Një tjetër vatër aktive është në Vajkal të Bulqizës. Atje operacioni po mbështetet nga një helikopter dhe 30 efektivë të FA-së, krahas zjarrfikësve, forcave pyjore dhe vullnetarëve. Flakët vijojnë edhe në Qafë Helmës dhe Sllatinë të Dibrës. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatrat në Komsi, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë izoluar ose po monitorohen. Zjarri në Delisuf të Vlorës është shuar plotësisht, pasi dogji rreth dy hektarë me shkurre. Në total, në operacione janë angazhuar 214 forca, gjashtë automjete zjarrfikëse, 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe tre helikopterë.