INSTAT raportoi se në tremujorin e dytë janë miratuar 460 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, duke shënuar një rritje prej 30,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u miratuan 352 leje.
Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtimet e reja në këtë tremujor është 307.127 m², duke shënuar një rritje prej 10,3%, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025 (278.389 m²).
Duke iu referuar dhe të dhënave të tremujorit të mëparshëm, për 6-mujorin e parë, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimit për periudhën janar-qershor është 684 mijë metra katror, me rritje gati 12% në krahasim me 6-mujorin e parë 2025.
Por, në krahasim me 6-mujorin e parë 2024, sipërfaqja e lejeve rezulton të ketë rënë me 43%.
Në fakt, kjo nuk është rënie reale, por lidhet thjesht me faktin se që nga viti 2025, INSTAT raporton vetëm lejet e dhënë nga Bashkitë dhe kjo lejet e dhëna nga Këshilli Kombëtar i territorit të Ujit, që jep vendimet për resortet dhe kullat. Historia është krejt ndryshe nga sa tregojnë shifrat
Sipërfaqja e dhënë është gati 4 herë më e lartë se deklarimi zyrtar
INSTAT sqaron se që prej fillimit të vitit 2025, botimi i statistikave mbi lejet e ndërtimit mbështetet aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve.
Megjithatë, VKM nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar*, përcakton se në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse, përveç bashkive.
Duke qenë se ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto ente pranë INSTAT, të dhënat e publikuara bazohen vetëm në burimet bashkiake dhe nuk raporton të dhënat e Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), i cili jep lejet për ndërtimet mbi 7 kate.
(Sipas VKM nr. 418, datë 23.7.2025, që ndryshoi nenin 19 të Rregullores së Zhvillimit të Territorit, KKTU është përgjegjës për lejet e ndërtimit për objektet brenda brezit bregdetar dhe për “çdo objekt mbi 6 kate, kur shtrihet jashtë kësaj zone).
Muajt e fundit Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit kanë marrë në shqyrtim disa qindra kërkesa për leje ndërtimi e zhvillimi ku përfshihen projekte turizmi, rezidencialë, infrastrukturë publike, ndërhyrje në energji dhe transport. Këto leje nuk raportohen në statistikat zyrtare, duke krijuar mungesë transparence.
Në mungesë të përditësimit të të dhënave nga INSTAT për sipërfaqen e lejeve të ndërtimit, që raporton prej fillimit të vitit 2025 vetëm pushtetin vendor dhe jo lejet e Këshillit Kombëtare të Territorit dhe Ujit (KKTU), të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë treguesi më i saktë për përmasat që pritet të marrë ndërtimi në vend.
Ndonëse sipërfaqja e ndërtimit rezulton me rritje modeste në raport me 6 muajt e parë të 2025-s dhe rënie prej 43% nga 6 mujori i parë 2024, të dhënat e tjera nga të ardhurat nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë tregojnë një histori ndryshe.
Në total, për 6 mujorin e parë 2026 janë arkëtuar nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’ në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë, ose tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (+200%).
Edhe në krahasim me vitin 2024, që deri tani mbante rekordin e dekadës së fundit për të ardhurat nga kjo taksë lejet e sipërfaqes më të lartë të lejeve të dhëna, të ardhurat mëse janë dyfishuar (+120%).
Për krahasim, për 6 mujorin e parë të vitit 2024, që është viti i fundit kur INSTAT i raportoi të dhënat e plota, ishin dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 1.2 milionë metra katror.
Për tënjëjtën periudhë, të ardhurat nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë ishin 8.7 miliardë lekë. Nga të dhënat rezulton se në 2024-n u arkëtuan rreth 7200 lekë për çdo metër katror tëdhënë për ndërtim.
Me të njëjtën supozim (arkëtimi prej 7.2 mijë lekë për metër katror të dhënë për ndërtim për një të ardhur prej 18.3 miliardë lekë), në 6-mujorin e parë 2026 vlerësohet të jenë dhënë 2.5 milionë metra katror për ndërtim, ose gati 4 herë (3.7) herë më shumë sesa raportohet nga INSTAT për të njëjtën periudhë prej 684 mijë metra katror.
Sipas të dhënave nga Ministra e Financave, 68% e të ardhurave në 6 mujorin e parë 2026 kanë ardhur nga Bashkia Tiranë, ose 12.5 miliardë lekë, që është gati sa shuma e arkëtuar për gjithë vitin 2025 dhe 362% më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s, ose gati 5 herë më shumë (në 6 muajt e parë të 2025-s u arkëtuan 2.7 miliardë lekë). Kjo nënkupton që një pjesë e madhe e lejene janë dhënë për kryeqytetin.
Ndryshimi i fundit i çmimeve referuese për apartamentet në Bashkinë Tiranë është bërë në korrik 2023, me VKM nr. 457, datë 26.07.2023. Çmimet e reja hynë në fuqi në fund të korrikut 2023 dhe zbatohen për 32 zonat kadastrale të Tiranës, çka nënkupton që rritja e të ardhura është tërësisht si rrjedhojë e shtimit të sipërfaqes së dhënë për leje ndërtimi.
Theksojmë se ky është një vlerësim, që bëhet në mungesë të transparencës së informacionit nga institucionet zyrtare.
Monitor i është drejtuar zyrtarisht dhe KKUT për sipërfaqen e lejeve të dhëna për ndërtim, por ata na dërguan vetëm link ku publikohen vendimet (që nuk janë të gjitha) dhe për të “Zbuluar” sipërfaqet kërkohet një punë kolosale e shkarkimit të vendimit dhe hedhjes manuale të të dhënave të sipërfaqeve./ Monitor
