Një sasi lënde plasëse, e lidhur me një aparat celular, u gjet rreth orës 09:00 të së premtes në lagjen nr. 3 të Durrësit, duke sjellë ndërhyrjen e policisë dhe specialistëve xhenierë të RENEA-s.
Objekti u konstatua në rrugën paralele me Portin e Durrësit, ndërsa policia vendosi një perimetër sigurie në zonë për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Pas mbërritjes në vendngjarje, specialistët xhenierë konfirmuan praninë e lëndës plasëse, e cila ishte lidhur me aparatin celular.
“Specialistët xhenierë të RENEAS kanë kryer veprimet e nevojshme dhe kanë bërë të mundur çaktivizimin e lëndës plasëse, në sasi të vogël, që ishte lidhur me aparatin celular, duke eliminuar çdo rrezik të mundshëm”, njoftoi Policia e Durrësit.
Sipas njoftimit, grupi hetimor po punon nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Më 20 maj 2025, pranë zonës së “Velierës” u gjet një sasi lënde plasëse, e përgatitur për t’u aktivizuar përmes një celulari. Eksplozivi u neutralizua në mënyrë të kontrolluar nga specialistët xhenierë, ndërsa rrethanat e vendosjes së tij mbetën objekt hetimi.
Një tjetër rast u regjistrua më 14 shtator 2025, në hyrje të një ish-hoteli në lagjen nr. 1, pronë e ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Lënda e dyshuar plasëse ishte vendosur në një vazo dhe e lidhur me një celular, ndërsa Njësia Antieksploziv e RENEA-s kreu shpërthimin e kontrolluar. Në atë kohë nuk u raportua për persona të dyshuar dhe hetimet u përqendruan edhe në gjurmimin e numrit të telefonit të përdorur.
Rasti i së premtes vjen vetëm 24 orë pas kërcënimeve për bomba ndaj disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit, mes tyre edhe Gjykata dhe Bashkia e Durrësit.
Mëngjesin e së enjtes, në adresat elektronike të disa institucioneve u dërgua një e-mail me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, ku pretendohej se në godinat e tyre ishin vendosur bomba.
Kontrollet e kryera nga policia nuk konstatuan bombë apo lëndë tjetër eksplozive, ndërsa Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, po punon për identifikimin e autorit të kërcënimeve.
Në Durrës, policia mbajti një perimetër sigurie në zonën ku u gjet lënda plasëse, pranë një blloku pallatesh dhe shkollës “Bedrie Bebeziqi”. Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare që lënda plasëse e gjetur të premten në Durrës të ketë lidhje me kërcënimet ndaj institucioneve një ditë më parë./ Amfora.al