Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka kritikuar nismën e qeverisë për transparencën e çmimeve.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se qytetarët nuk kanë nevojë që ministrat t’u tregojnë se në cilin treg mund të blejnë më lirë produkte ushqimore, por presin politika konkrete që të ndikojnë në uljen e çmimeve. Sipas saj, problemi nuk zgjidhet duke orientuar konsumatorët nga një treg në tjetrin, por duke ndërhyrë në faktorët që përcaktojnë çmimin e produkteve.
“Tashmë është fakt që specat, domatet dhe të gjitha zarzavatet e frutat shiten më shtrenjtë në Shqipëri sesa në vendet e rajonit. Dhe çfarë bën qeveria?”, shprehet Tabaku.
Tabaku rendit katër drejtime ku, sipas saj, qeveria duhet të ndërhyjë: mbështetjen e bujqësisë dhe prodhimit vendas, luftën ndaj monopoleve dhe oligopoleve, uljen e taksave dhe rritjen e subvencioneve për fermerët.
Deputetja demokrate ngre shqetësimin edhe për varësinë e tregut shqiptar nga importet. Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e produkteve që konsumohen në vend vijnë nga jashtë, ndërsa prodhimi vendas nuk po merr mbështetjen e nevojshme.
Në këtë kuadër, Tabaku kërkon edhe uljen e kostove që rëndojnë mbi fermerët dhe prodhuesit, duke përfshirë çmimin e karburanteve, i cili ndikon drejtpërdrejt në koston e prodhimit dhe transportit të produkteve.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për ministrat që t’u tregojnë se në cilin treg duhet të shkojnë. Sot kanë nevojë për politika konkrete”, deklaron ajo.
Kritika e Tabakut shtrihet edhe te koncepti i transparencës së përdorur nga qeveria. Sipas saj, nëse mazhoranca kërkon të flasë për transparencë, ajo duhet të nisë nga mënyra se si përdoren fondet publike dhe nga kontratat që lidhen nga institucionet shtetërore.
“Nëse duan të bëjnë transparencë, le ta bëjnë me kontratat koncesionare, me PPP-të, me ligjet me porosi dhe me taksat e falura. Kjo është transparenca që kërkojnë shqiptarët”, shprehet Tabaku.
Sipas deputetes së PD-së, rritja e çmimeve nuk mund të trajtohet vetëm si një çështje e konsumatorit, duke i kërkuar atij të kërkojë tregun më të lirë. Ajo argumenton se përgjegjësia e qeverisë është të ndërhyjë në treg përmes politikave ekonomike që rrisin konkurrencën dhe prodhimin vendas.
Tabaku kërkon gjithashtu goditjen e monopoleve dhe oligopoleve, të cilat, sipas saj, ndikojnë në formimin e çmimeve dhe kufizojnë konkurrencën.