Një pasdite pranë lumit Drin është kthyer në tragjedi për një familje në Gjoricë të Bulqizës, ku një vajzë rreth 7 vjeçe humbi jetën pasi u mor nga rrjedha e ujit, ndërsa katër familjarë të saj arritën të shpëtonin.
Vogëlushja kishte shkuar për t’u larë në lumë së bashku me xhaxhain, dy vëllezërit dhe motrën e saj, kur niveli dhe rrjedha e Drinit u shtuan papritur. Sipas të dhënave paraprake, rritja e menjëhershme e prurjeve erdhi pas hapjes së portave të hidrocentralit në Dibër të Madhe.
Brenda pak çastesh, rrjedha e fortë i mori me vete të pestë. Në zonë ndërhynë forcat e policisë dhe, pas momenteve dramatike, xhaxhai dhe tre fëmijët e tjerë arritën të dilnin nga lumi dhe t’i shpëtonin mbytjes. Por 7-vjeçarja nuk mundi të dilte.
Kërkimet për të vazhduan gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, me shpresën se vajza mund të gjendej ende gjallë. Kërkimet përfunduan tragjikisht, kur u gjet trupi i pajetë i vogëlushes.
Mbetet për t’u sqaruar zyrtarisht nëse shtimi i menjëhershëm i nivelit të Drinit lidhej me hapjen e portave të hidrocentralit dhe nëse kishte pasur paralajmërim për shkarkimet e ujit.