Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzon kryeministrin Edi Rama se lidhjet e pushtetit me krimin e organizuar nuk janë ndërprerë pas goditjes së Ergys Agasit, por se roli i tij është marrë nga një person tjetër.
Në një reagim në Facebook, Këlliçi i referohet deklaratave të mëparshme të Arben Ahmetajt, sipas të cilit Agasi kishte rolin e ndërmjetësit mes kryeministrit dhe grupeve kriminale, akuza që Rama i ka mohuar më herët.
“Me rënien e Gysit, nuk ka rënë skema. Sa të jetë Rama në atë karrige, lidhja me krimin është e sigurtë. Thjeshtë një koordinator tjetër do ketë zënë vendin”, shkruan Këlliçi.
Deputeti demokrat rikthen gjithashtu pretendimin e Ahmetajt se Agasi kujdesej edhe për sigurimin e verërave të shtrenjta për kryeministrin, duke përmendur Romanée-Conti me vlerë 33 mijë euro shishja. Sipas Këlliçit, detyra kryesore e Agasit ishte “ruajtja e menaxhimi i paktit me bandat, me krimin e organizuar në vend”.
Mesazhi i plotë i Këlliçit
Ergys Agasi kishte fituar pushtet pasi Edi Rama i pati besuar detyrën e rëndësishme, atë të koordinatorit për bandat. Siç denoncoi Arben Ahmetaj, falë këtij roli, Agasi kalonte me Edi Ramën më shumë kohë se çdo ministër apo i besuar tjetër.
Këto lidhje, këto raporte me krimin e organizuar, janë jetike për Ramën dhe pushtetin e tij. Organizatat kriminale kthehen në shtabe elektorale dhe sigurojnë vota për të dhe në këmbim ato marrin privilegje, kontrolle territori, leje e liçensa dhe paprekshmëri.
Me rënien e Gysit, nuk ka rënë skema.
Sa të jetë Rama në atë karrige, lidhja me krimin është e sigurtë.
Thjeshtë një koordinator tjetër do ketë zënë vendin.
Një koordinator që do të duhet të ofrojë edhe një shërbim tjetër ekstra, që ka të bëjë me qejfet e Edi Ramës. Një nga detyrat që kishte Gysi, ishte të siguronte verën Romanee-Conti, 33 mijë euro një shishe.
Në fillim, kur Arben Ahmetaj e bëri këtë denoncim, shumë vetë nuk e besuan. Më pas, policia i sekuestroi të shumëkërkuarit një kantinë ku u gjetën shishe vere të shtrenjta me vlerë mbi 1 milionë euro.
Dhe nuk kishte më dyshime.
Koordinatori i Kryeministrit për bandat, e kryente edhe këtë angazhim.
Sigurimi i këtij salltaneti për Kryeministrin, pra është vetëm një nga punët. Ai detyrë kryesore ka ruajtjen e menaxhimin e paktit me bandat, me krimin e organizuar në vend.