Fenomeni El Niño që po zhvillohet në Oqeanin Paqësor mund të jetë më i fuqishmi i regjistruar në kohët moderne. Paralajmërimi vjen nga ekspertët e shërbimit meteorologjik britanik, Met Office. Temperaturat e ujërave në një zonë kyçe të Paqësorit janë tashmë mbi 2°C më të larta se normalja. Sipas parashikimeve, diferenca mund të kalojë 3°C gjatë kulmit të fenomenit, një nivel i paprecedentë në matjet që prej vitit 1950.
El Niño pritet të shtojë temperaturat globale dhe rrezikun e motit ekstrem. I kombinuar me ndryshimet klimatike, fenomeni mund ta bëjë vitin 2027 më të nxehtin e regjistruar ndonjëherë, duke kaluar rekordin e vitit 2024.
Pasojat pritet të ndryshojnë sipas rajoneve. Australia mund të përballet me më shumë thatësira dhe zjarre, ndërsa Peruja dhe Ekuadori me reshje intensive dhe përmbytje. Ndikime mund të shfaqen edhe në musonet aziatike dhe sezonin e uraganeve në Atlantik.
Në Europë, efektet janë më të vështira për t’u parashikuar. Europa veriperëndimore mund të përjetojë mot më të lagësht dhe të stuhishëm. Për Shqipërinë dhe Ballkanin, ekspertët thonë se ndikimi mbetet i paqartë dhe do të varet edhe nga kushtet atmosferike lokale. Shqetësimet shkojnë përtej motit. FAO paralajmëron se një El Niño i fuqishëm mund të godasë prodhimin bujqësor dhe të rrisë pasigurinë ushqimore në vendet më të ekspozuara.
Ekspertët po monitorojnë zhvillimin e fenomenit, ndërsa fuqia e tij dhe ndikimi global pritet të bëhen më të qarta gjatë muajve të ardhshëm.