Trajnerët e dikurshëm thoshin se kush luan në të gjitha pozicionet, në fakt nuk luan në asnjë pozicion dhe se ai që di të bëjë shumë gjëra, në të vërtetë nuk di t’i bëjë mirë asnjërën. Por më pas janë përjashtimet dhe Curtis Jones është një prej tyre. Di të bëjë shumë gjëra, është e vërtetë, por di t’i bëjë edhe mirë. Luaj në të gjitha pozicionet, por vetëm ato të mesfushës, me ndonjë përjashtim të vogël, si kur trajneri Arne Slot i kërkoi të luante si mbrojtës i djathtë. Prirja e tij e vërtetë është të jetë një “xhol” i mesfushës, sipas përkufizimit të krijuar nga Carlo Ancelotti, ose për ta thënë në anglisht, një mesfushor box-to-box.
Ai vjen nga Liverpool (ku ka lindur më 30 janar 2001), ashtu si Beatles. Ndryshe nga Fab Four, megjithatë, ai nuk është larguar kurrë prej andej. Djali i Dean, ish-futbollist amator, dhe i Sandrës, ai mund të kishte zgjedhur edhe Kombëtaren e Nigerisë për shkak të gjyshes nga babai. Ndoshta e ka menduar edhe për një moment në fillim të karrierës, kur e kishte të vështirë të gjente hapësira në skuadrën e tij dhe nga gazetat angleze cilësohej si “underrated”, i nënvlerësuar. Një mendim, nëse ka ekzistuar, që zgjati shumë pak, sepse gjithsesi ai e gjeti gjithmonë hapësirën e tij në ekipet kombëtare të moshave, deri sa shënoi golin vendimtar kundër Spanjës në finalen e Kampionatit Europian U-21 të vitit 2023. Më pas, më 14 nëntor 2024, erdhi edhe debutimi (me gol) në Kombëtaren A, në ndeshjen e Nations League Greqi-Angli 0-3. Që atëherë, 6 paraqitje dhe vetëm ai gol.
🚨⚫️🔵 EXCLUSIVE: Inter agree deal to sign Curtis Jones from Liverpool, here we go! 💣
Verbal agreement in place at €35m package fee from #LFC, agreement also with the player and medical being planned next. pic.twitter.com/rh5IUbVgsb
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) August 19, 2026
Liverpool (dhe Liverpool Football Club) si qendra e botës, gjithmonë dhe në çdo rast. Në moshën 9-vjeçare ishte tashmë pjesë e akademisë, në 17 vjeç firmosi kontratën e parë profesionale dhe pak më vonë erdhi edhe grumbullimi i parë për një ndeshje të Premier League, derbin e Merseyside kundër Everton. Megjithatë, nuk pati debutim. Komplimentet e para të vërteta erdhën nga Jurgen Klopp, i cili e mori me vete në turneun veror të vitit 2018. Në atë sezon, megjithatë, trajneri gjerman e aktivizoi djaloshin vetëm një herë, më 7 janar 2019, në një ndeshje të FA Cup të humbur 2-1 kundër Wolverhampton. I rikthyer te skuadra rezervë, me disa periudha stërvitjeje me ekipin e parë, Jones u desh të priste deri më 7 dhjetor 2019 për të debutuar në Premier League, në ndeshjen Bournemouth-Liverpool 0-3.
Që nga ai moment, por mbi të gjitha nga sezoni pasardhës, kur fitoi më shumë hapësirë në ekipin e parë, ai nuk bëri gjë tjetër veçse fitoi vlerësimin e të gjithëve. Nuk shënon shumë, por të gjithë golat e tij janë të bukur ose të rëndësishëm. Ka një goditje me hark që është e vështirë për t’u neutralizuar, ka mushkëri të pashtershme që i mundësojnë të jetë kudo gjatë ndeshjes. Disa kanë arritur ta cilësojnë si pasardhësin e Steven Gerrard. Ndoshta pak e ekzagjeruar, por disa karakteristika mund të dallohen. Në tetë sezone me ekipin e parë ka regjistruar 228 paraqitje dhe 22 gola në Premier League dhe Kupat e ndryshme. Në trofeun e tij mund të shfaqë 2 tituj kampionë të Anglisë, 2 Kupa të Ligës, 1 FA Cup, 1 Community Shield dhe 1 Kupë të Botës për Klube. Deri më sot nuk ishte larguar kurrë nga Liverpooli, Anfield ka qenë paksa “Cavern Club”-i i tij (lokali ku Beatles performonin kur ishin ende thuajse të panjohur). John, Paul, George dhe Ringo u nisën për të shkruar historinë, për Curtis ka ardhur momenti të bëjë të njëjtën gjë.