Banorë të lagjes 15 në Durrës kanë protestuar paraditen e sotme për situatën e krijuar tek ish-Parku i Autobusëve, ku kamionët e mbetjeve urbane vijojnë të depozitojnë ngarkesat e tyre. E përdorur si vendgrumbullim ditor para se mbetjet të transportohen drejt landfillit të Sharrës, kjo hapësirë në Spitallë është kthyer në një vatër ndotjeje për banorët që jetojnë në pallatet përreth.
Sipas banorëve, vendgrumbullimi që u krijua si zgjidhje e përkohshme vijon të funksionojë prej vitesh, ndërsa vendi i posaçëm tranzit i premtuar nga Bashkia nuk është ndërtuar ende. Në këtë verë të nxehtë, era e rëndë e mbetjeve depërton deri në banesa, ndërsa ankesat e përsëritura pranë Bashkisë, sipas tyre, nuk kanë sjellë ende një zgjidhje. Sot, banorët bllokuan për rreth një orë lëvizjen e kamionëve, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për zhvendosjen e vendgrumbullimit dhe një zgjidhje të përhershme të problemit.
Një nga banorët e lagjes, tregon vështirësitë që i shkakton ky vendgrumbullim plehrash gjatë jetës së përditshme.
“Janë mbi 300 familje qe preken. Nuk jemi këtu për arsye politike, për të mos thënë që të gjithë këta që protestojnë këtu janë të gjithë socialistë. Ne kemi dalë për problemin tonë, për fëmijët tanë. Ka mbi 3 vite që nuk hapim dritaret, është e pamundur. Po kërkojmë të hiqen plehrat, të bëhet gjëja më minimale. Drejtorët që punojnë në komunale të vijnë të qëndrojnë vetëm 30 minuta këtu dhe ta kuptojnë se çfarë po ndodh”, shprehet banori.