Policia e Shtetit ka arritur të lokalizojë dhe të vërë në pranga Sokrat Vatën, 29-vjeçarin nga Hasi i cili kërkohej si autori i dyshuar për vrasjen e turistit 20-vjeçar francez, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit në plazhin e Ksamilit.
Kapja e tij u bë e mundur gjatë kontrolleve të ushtruara në një pikë kontrolli të ngritur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor në Levan.
Në tentativë për t’i shpëtuar ndjekjes dhe arrestimit nga forcat e rendit, 29-vjeçari ishte fshehur në bagazhin e një automjeti me të cilin po udhëtonte. Menjëherë pas ndalimit, Vata është shoqëruar nga efektivët e policisë, ndërsa grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe zbardhjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm në arratisjen e tij.