Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Selenicës, të gjithë këshilltarët, si të mazhorancës ashtu edhe të opozitës, dolën me një qëndrim të përbashkët kundër projektit për bashkimin e Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës.
Me 19 votra të gjithë një zëri u votua kundra shkrirjes së bashkisë Selenicë.
Gjatë mbledhjes, këshilltarët deklaruan se Bashkia e Selenicës nuk duhet të mbyllet dhe se do ta kundërshtojnë deri në fund këtë projekt, duke e cilësuar si një vendim që dëmton përfaqësimin dhe interesat e banorëve të zonës.
Në mbështetje të këtij qëndrimi u shpreh edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili argumentoi se Selenica duhet të vazhdojë të funksionojë si bashki më vete dhe se do të vijojë të mbrojë këtë qëndrim me argumente institucionale.
“Kjo bashki ka një territor të gjerë. Renditemi ndër 20 bashkitë në Shqipëri. Kemi 561 kilometra katrorë. Një bashki tipike bujqësore, blegtorale. Një bashki e cila e ka lidhur jetën e saj me bujqësinë, me blegtorinë, me tokën, me vendin. Dhe ne si bashki jemi munduar, jemi munduar që t’i qasemi dhe t’i ndihmojmë sadopak banorët. Ne nuk kemi asgjë me Vlorën. Ne e duam Vlorën. Siç e do gjithë Shqipëria. Ne kemi luftuar për Vlorën më shumë se ata që banojnë sot në Vlorë. Kjo është e vërtetë. Prindërit e, gjyshërit e tanë, të afërmit tanë kanë dhënë gjakun në dy luftëra. Të 20-ës dhe 45-ës. Dhe në çdo fshat tonin ka lapidar. Ai lapidar është bërë dhe për Vlorën dhe për Shqipërinë. Nuk kemi gjë me Vlorën, e duam të lulëzojë Vlora. Por çështja është që nga ajo që ne shikojmë, nga ajo që ne vërejmë, kur në reformën e 2014-ës Vlorës iu bashkuan disa fshatra, ato nuk janë më mirë se ne. Këtë ne e vërejmë. Nuk është më mirë Llakatundi se Armeni. Këtë e dinë njerëzit. Se Llakatundi blen, jo nxjerr, në Armen. I bie që fushat e Armenit kanë pasur një vëmendje shumë të lartë. Po ka pasur, sepse ne kemi tipike tipologjinë e bashkisë që do i shërbejë fermerit, bujkut dhe turizmit malor. Jo se nuk do Vlora, po Vlora mund të ketë një zhvillim tjetër turistik, një zhvillim tjetër bregdetar. Dhe ne ndaj duhet që të qëndrojmë fort në konceptin e një bashkie rurale. Ku dhe vetë qeveria dhe vetë koncepti i këtyre bashkive duhet të financohen në profilin bujqësor dhe blegtoral.
Ky është qëndrimi im me fakte, ky nuk është një qëndrim politik. Ky nuk është një qëndrim për karrigen time. Kjo punë nuk bëhet për mua, jam apo nuk jam. Unë po flas me fakte, të cilat janë pjesë e bashkisë Selenicë. Dhe në këtë moment që unë u drejtohem juve, drejtohem si një si ju. Ju që më keni besuar, ju që më keni dhënë votën, unë jam i detyruar t’ju tregoj me fakte, me prova, të gjithë punën që ka bërë bashkia e Selenicës. Të gjithë punën që kemi bërë bashkë me ju këshilltarë, bashkë me ju kryetarë fshati, për t’i qëndruar sa më afër, sa më pranë, këtij populli të mrekullueshëm, me njerëz kaq të mirë, kaq fisnikë dhe kaq punëtorë. Unë kaq kisha” tha Bellaj.
Në mbledhje morën pjesë edhe kryepleqtë e fshatrave të Bashkisë Selenicë, të cilët gjithashtu u shprehën në një zë kundër bashkimit me Vlorën. Ata deklaruan se do të mbështesin çdo nismë për të kundërshtuar projektin dhe kërkuan që Bashkia e Selenicës të mos shkrihet.