Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e 24 Korrikut të Shkallës së Parë, e cila nuk pranoi që të shqyrtonte në themel padinë ndaj Prokurorit Ols Dado.
Në një komunikatë për mediat, Veliaj thekson se gjykata nuk i dha përgjigje pyetjes nëse një person mund të ushtrojë pushtetin penal të shtetit, kur pretendohet se është emëruar në kundërshtim me kriteret urdhëruese të ligjit.
Veliaj argumenton se në momentin e emërimit në vitin 2008, Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe nuk plotësonte kriteret ligjore për t’u emëruar prokuror.
Veliaj pretendon se gjykata e mbylli çështjen për mungesë legjitimimi, pa verifikuar nëse akti i emërimit ishte absolutisht i pavlefshëm.
Gjykata Administrative, në vendimin e 24 korrikut, u shpreh se Kryebashkiaku i Tiranës nuk ka interes të drejtpërdrejtë, por të tërthortë dhe çështja për emërimin e Ols Dados si Prokuror nuk merret në shqyrtim.