Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta në Europë për lidhjen e popullsisë me sistemet e trajtimit të ujërave të ndotura. Në vitin 2024, vetëm 12.6% e popullsisë rezultonte e lidhur me impiante që ofrojnë të paktën trajtim dytësor të ujërave të ndotura, sipas të dhënave të Eurostat. Treguesi mat pjesën e popullsisë së lidhur me sisteme ku ujërat e ndotura i nënshtrohen të paktën trajtimit biologjik, përpara se të shkarkohen në mjedis.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një përkeqësim të fortë të treguesit në vitet e fundit. Përqindja për Shqipërinë ishte 33.6% në vitin 2018, ra në 30.9% në vitin 2020 dhe më pas zbriti në 12.6 % në vitin 2024.
Krahasuar me vitin 2018, pjesa e popullsisë së mbuluar nga trajtimi i ujërave të ndotura është reduktuar me 21 pikë përqindjeje, ose me rreth 63%.
Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria renditet në nivelet më të ulëta. Në vitin 2024, Serbia e kishte treguesin në rreth 15.5%, rreth 3 pikë përqindjeje më të lartë se Shqipëria.
Bosnjë-Hercegovina raportonte një mbulim prej 36.5%, ndërsa në Turqi rreth 61.1% e popullsisë ishte e lidhur me sisteme trajtimi të paktën dytësor.
Diferenca është edhe më e madhe me vendet e Bashkimit Europian. Mesatarja e BE-së arriti në 80.7% në vitin 2023, ose rreth gjashtë herë më shumë se niveli i Shqipërisë në të njëjtin vit.
Në Greqi, treguesi ishte mbi 95%, ndërsa në Gjermani, Holandë, Austri dhe Danimarkë pothuajse e gjithë popullsia është e lidhur me sisteme që kryejnë të paktën trajtim dytësor.
Të dhënat nxjerrin në pah mangësitë e mëdha të Shqipërisë në infrastrukturën e kanalizimeve dhe të përpunimit të ujërave të ndotura. Kapacitetet ekzistuese të impianteve vlerësohen të pamjaftueshme për të mbuluar popullsinë urbane, ndërsa një pjesë e tyre kanë funksionuar nën kapacitet ose kanë qenë jashtë pune.
Kjo rrit rrezikun që një pjesë e madhe e ujërave të përdorura të shkarkohet pa trajtimin e nevojshëm, duke shtuar presionin mbi lumenjtë, liqenet dhe zonat bregdetare.
Për vite me radhë, investimet publike në nivel qendror dhe vendor janë orientuar kryesisht drejt projekteve me efekte të menjëhershme vizuale, si sheshe, fasada, apo rrugë urbane, ndërsa investimet nën tokë, tek rrjetet e kanalizimeve dhe impiantet e pastrimit janë konsideruar nga pushteti qendror dhe vendor si projekte që nuk duken dhe nuk sjellin përfitime të shpejta elektorale.
Në të shumtën e rasteve janë investuar miliona euro për asfaltimin e rrugëve apo hapjen e blloqeve të reja banimi, pa u shoqëruar njëkohësisht me shtrimin e rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve. Kjo ka sjellë situatën absurde ku rrugët e reja ribëhen copë-copë pak vite më vonë vetëm për të kaluar tubacionet e ujërave të zeza./ B.Hoxha