Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të një zjarrvënieje në fshatin Lekaj të Rrogozhinës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore. Sipas njoftimit të policisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit për zjarrin, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, duke bërë të mundur izolimin e flakëve që rrezikonin edhe banesat e zonës.
Gjatë hetimeve, grupi hetimor konstatoi se në oborrin e banesës së shtetasit N. U. kishte vatra zjarri, ndërsa në pjesën e pasme të banesës u gjet një tjetër vatër, nga e cila dyshohet se flakët janë përhapur dhe kanë përfshirë sipërfaqen me pemë ulliri dhe kultura të tjera frutore. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin N. U., banues në fshatin Lekaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.