Protesta qytetare kundër qeverisë vijon edhe sot, duke hyrë në ditën e 67 radhazi. Ashtu si çdo mbrëmje, qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej” dhe më pas të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të zhvillohen fjalimet e aktivistëve dhe pjesëmarrësve. Prej më shumë se dy muajsh, protesta zhvillohet pa ndërprerje në Tiranë. Organizatorët këmbëngulin se mobilizimi do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si objektivin kryesor.
Protestuesit kanë theksuar se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit është e panegociueshme dhe se nuk do të pranojnë asnjë kompromis politik. Edhe sot pritet që marshimi të shoqërohet me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëri e re”, slogane që janë kthyer në simbol të protestës së përditshme. Organizatorët u kanë bërë sërish thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria dhe diasporës t’u bashkohen protestave, duke theksuar se aksioni qytetar do të vazhdojë çdo ditë deri në largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.