Një operacion shpëtimi është zhvilluar në Bulqizë, ku 7 qytetarë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, janë nxjerrë në siguri falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë dhe strukturave të emergjencës.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë reaguan menjëherë pasi morën një telefonatë nga një qytetar, i cili kërkoi ndihmë pasi ai dhe gjashtë familjarë të tij kishin mbetur të izoluar në vendin e quajtur “Ura e Gjoricës”, si pasojë e rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit në lumin Drini i Zi.
Në bashkëpunim me shërbimet e Emergjencave Civile të Prefekturës Dibër dhe ekipin zjarrfikës, u organizua një operacion shpëtimi, gjatë të cilit të shtatë qytetarët u evakuuan me gomone nga rrjedha e lumit.
Fatmirësisht, të gjithë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar lëndime.
Policia e Dibrës apelon për kujdes maksimal gjatë qëndrimit pranë lumenjve dhe zonave ujore, veçanërisht në periudha kur niveli i ujit mund të rritet papritur, si dhe u bën thirrje qytetarëve të njoftojnë menjëherë Policinë në rast nevoje për ndihmë.