Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës ka dalë me një qëndrim të përbashkët kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Bashkinë Kavajë.
Në një vendimmarrje të miratuar nga anëtarët e Këshillit, pavarësisht përkatësive politike, u kundërshtua plani i mazhorancës për riorganizimin territorial, me argumentin se ndryshime të tilla nuk mund të bëhen pa konsultim me komunitetin dhe pa marrë parasysh interesin e banorëve.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Desi Gixhari, theksoi se çështja e së ardhmes së Rrogozhinës ka bashkuar përfaqësuesit vendorë përtej ndarjeve politike.
“Nuk mund të pranohet një vendimmarrje që prek jetën e mijëra qytetarëve pa një proces transparent. Sot pavarësisht bindjeve politike që kemi, na bashkon mbrojtja e interesit të qytetarëve të bashkisë Rrogozhinë. Kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, është inkurajuese që kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e Rrogozhinës, interesi ynë qëndron mbi çdo bindje politike.”, tha Desi Gixhari.