Nga Flir Mosho
Sa herë rikthehet debati për reformën territoriale, vëmendja ngec te e njëjta pyetje: a duhet të mbeten 61 bashki apo t’i kthehemi një numri më të madh njësish vendore?
Është një debat që ndez studiot televizive, por rrallë prek thelbin e problemit. Sepse reforma territoriale nuk është një lojë me numra në hartë. Ajo matet me pushtetin real që kanë bashkitë për të marrë vendime dhe për t’u shërbyer qytetarëve.
Në letër, një bashki mund të administrojë qindra kilometra katrorë. Në praktikë, mund të mos ketë fonde as për të mbyllur një gropë në rrugën e një fshati, për të rikonstruktuar një shkollë apo për të mbështetur një projekt zhvillimi lokal. Kur ndodh kjo, decentralizimi mbetet vetëm një koncept i bukur, ndërsa vendimet dhe paratë vazhdojnë të kontrollohen nga qendra. Ky është paradoksi shqiptar.
Reforma e vitit 2015 bashkoi 373 komuna dhe bashki në 61 njësi vendore, me synimin për të krijuar administratë më efikase, ekonomi shkalle dhe shërbime më cilësore. Harta ndryshoi rrënjësisht. Raporti i forcës mes pushtetit vendor dhe atij qendror, shumë më pak. Sot, një dekadë më vonë, raportet e Këshillit të Europës, të Bankës Botërore dhe vetë të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë të njëjtën gjë: decentralizimi ka bërë përparim, por autonomia financiare vazhdon të mbetet e kufizuar.
Divjaka ‘shkrihet’ me Lushnjen? Kryebashkiaku i PS kundër Ramës: Ndihem i tradhtuar!
Bashkitë kanë më shumë përgjegjësi se më parë, por jo mjetet financiare për t’i përmbushur ato. Pikërisht për këtë arsye, debati nëse Shqipëria duhet të ketë 61, 80 apo 120 bashki humbet rëndësinë. Pyetja e vërtetë është nëse pushteti vendor ka burimet, kompetencat dhe lirinë për të qeverisur. Përgjegjësia pa burime financiare nuk është decentralizim.
Është vetëm një mënyrë elegante për të transferuar fajin. Mjafton të imagjinojmë një kryetar bashkie që duhet të menaxhojë arsimin parashkollor, pastrimin, rrugët rurale, shërbimet sociale, emergjencat civile dhe zhvillimin ekonomik lokal, por nuk ka kontroll real mbi të ardhurat që i duhen për t’i financuar këto detyra. Në fund krijohet një lojë fajësimesh: bashkia thotë se nuk merr fonde të mjaftueshme, qeveria përgjigjet se problemi është menaxhimi. Ndërkohë, qytetari mbetet ai që paguan çmimin.
Një vështrim nga rajoni e bën edhe më të qartë këtë tablo. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kaluar të gjitha reforma territoriale, por kanë ndjekur modele të ndryshme të decentralizimit fiskal. Në Serbi, komunat mbështeten në një bazë më të gjerë të ardhurash vendore, ku tatimi mbi pronën ka peshë reale. Mali i Zi u ka dhënë komunave më shumë hapësirë për të krijuar të ardhura dhe për të planifikuar investimet e tyre. Maqedonia e Veriut ka avancuar gradualisht me kompetencat fiskale lokale, ndërsa Kosova, edhe pse mbështetet ndjeshëm te grantet qendrore, u njeh komunave autonomi më të madhe në vendimmarrje. Edhe Kroacia, e cila konsiderohet një nga modelet më të balancuara të rajonit, ka ndërtuar një sistem ku të ardhurat nga prona përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të financave vendore.
Kjo tregon se autonomia nuk matet me vijat në hartë, por me mënyrën si ndërtohet sistemi fiskal. Prandaj krahasimi rajonal nuk duhet të ndalet te numri i bashkive. Ai duhet të matet me disa tregues të thjeshtë: sa kompetenca reale kanë njësitë vendore, sa përqind e shpenzimeve publike administrojnë, sa të ardhura mbledhin vetë dhe sa varen nga transfertat e qeverisë qendrore. Po aq e rëndësishme është edhe pesha që ka tatimi mbi pronën në financimin e tyre.Kur i shikon këta tregues, tabloja bëhet shumë më e qartë.
Shqipëria vazhdon të funksionojë me një model hibrid: bashkitë mbajnë mbi supe gjithnjë e më shumë përgjegjësi, por mbeten të varura financiarisht nga qendra. Kjo është edhe kontradikta më e madhe e reformës së vitit 2015. Territoret u zgjeruan, por fuqia financiare e pushtetit vendor nuk ndryshoi në të njëjtën masë. Të ardhurat vendore janë rritur, por ende mbeten larg niveleve që shihen në shumë vende europiane. Ka edhe një element tjetër që nuk mund të anashkalohet: përqendrimi i madh i ekonomisë në Tiranë. Falë popullsisë, aktivitetit ekonomik dhe tregut të pasurive të paluajtshme, Tirana mbledh një pjesë shumë të madhe të të ardhurave vendore të vendit.
Kjo nuk është një kritikë ndaj Bashkisë së Tiranës. Është pasojë e një modeli zhvillimi që ka krijuar një hendek gjithnjë e më të madh mes kryeqytetit dhe pjesës tjetër të Shqipërisë. Ndërsa Tirana financon projekte të mëdha infrastrukturore, shumë bashki të tjera përpiqen çdo muaj të sigurojnë fondet për shërbimet bazë, pagat e administratës apo mirëmbajtjen minimale të infrastrukturës.
Kjo nuk është thjesht një çështje bilancesh financiare. Është një çështje barazie dhe cilësie të demokracisë. Një qytetar në Tropojë, Pustec, Libohovë apo Dropull nuk duhet të marrë shërbime më të dobëta vetëm sepse jeton në një bashki me më pak të ardhura. Pikërisht për këtë arsye, demokracitë funksionale ndërtojnë mekanizma të fortë të barazimit fiskal. Jo për t’i bërë bashkitë të varura, por për të garantuar që çdo qytetar, pavarësisht se ku jeton, të ketë akses në të njëjtin standard shërbimesh publike.