Belshi i bashkohet valës së protestave kundër Reformës Territoriale.
Dhjetëra qytetarë kanë dalë sot në rrugë për të kundërshtuar propozimin e mazhorancës për shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin me Bashkinë Elbasan.
Ata u mblodhën në qendër të Belshit me pankarta në duar, duke kërkuar që njësia e tyre vendore të ruajë statusin e bashkisë më vete.
Protestuesit thanë se ndryshimi i propozuar cenon identitetin e komunitetit, përfaqësimin lokal dhe rrezikon të largojë më tej shërbimet nga qytetarët.
Një nga pankartat e protestuesve shpreh edhe pakënaqësinë e banorëve ndaj vendimit të qeverisë, me mbishkrimin: “Rilindja e donte Belshin kryeqytet, ju po e asimiloni”.
Sipas tyre, bashkimi me Elbasanin nuk është thjesht një ndryshim në hartë, por një vendim që prek drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, shërbimet publike dhe të ardhmen e zonës.
Protesta e Belshit vjen pas reagimeve në disa bashki të tjera, përfshirë Poliçanin, Klosin, Prrenjasin dhe zona të tjera që kundërshtojnë propozimin për shkrirjen e njësive vendore.