Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për situatën ekonomike në vend, se rritja ekonomike e propaganduar prej qeverisë nuk është reflektuar në jetën e përditshme të qytetarëve.
Duke folur në “Këndin e Fundjavës”, Tabaku u ndal te rritja e çmimeve, pagat, emigrimi dhe modeli ekonomik i vendit, të cilin e cilësoi të orientuar drejt ndërtimit dhe jo prodhimit.
Sipas saj, familjet shqiptare sot po përballen me një realitet ku çmimet janë europiane, ndërsa pagat janë shqiptare, duke theksuar se gjatë dekadës së fundit çmimet janë rritur ndjeshëm, ndërsa fuqia blerëse e qytetarëve nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm.
“Çdo familje shqiptare që shpenzon në supermarkete apo në marketet e lagjes dhe që blen produktet për tryezën familjare, e ka vënë re rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve. Sot, çmimet në Shqipëri janë barazuar me ato europiane”, deklaroi Tabaku.
Ajo argumentoi se rritja ekonomike e vendit nuk ka prekur shumicën e qytetarëve, por është përqendruar te një grup i vogël biznesesh, kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Raporti i KLSH-së/ Shqipëria pa mekanizma funksionalë për luftën kundër varfërisë
Deputetja demokrate identifikoi tri probleme kryesore të ekonomisë shqiptare: rritjen e kostos së jetesës, emigrimin masiv dhe mungesën e prodhimit. Sipas saj, largimi i të rinjve jashtë vendit po dëmton ekonominë, ndërsa sektorë tradicionalë si bujqësia dhe fasoneria kanë humbur peshë.
“Ne ndërtuam një ekonomi llaçi dhe tullash”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se ekonomia shqiptare, , nuk po krijon vende të qëndrueshme pune dhe nuk po prodhon vlerë të shpërndarë te qytetarët.
Tabaku e lidh krizën ekonomike me pakënaqësinë sociale dhe protestat e qytetarëve, duke kërkuar ndryshim politik.
“Ky sistem duhet çmontuar. Ky sistem duhet rrëzuar. Ky sistem duhet të bjerë, në mënyrë që të krijohen mundësi ekonomike për të gjithë”, deklaroi ajo.