MARRËVESHJA USHTARAKE SHQIPËRI–SHBA, NJË MOMENT HISTORIK PËR KOMBIN SHQIPTAR DHE SIGURINË E RAJONIT
Nga Flamur Buçpapaj,ekspert ushtarak
Marrëveshja ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një marrëveshje historike dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë kombin shqiptar, për Kosovën, për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe për sigurinë e gjithë rajonit. Kjo marrëveshje është një kambanë e fortë që tregon se Shqipëria nuk është vetëm, se ajo është pjesë e aleancës më të fuqishme të botës dhe se çdo shtet që mendon të cenojë sigurinë tonë duhet ta kuptojë se përballë saj qëndron një aleancë e fuqishme strategjike.
Për ta kuptuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje duhet të bëjmë një histori të shkurtër se çfarë është Amerika për ne shqiptarët. Unë që i vogël jam rritur me fjalët e babait tim, Mehmet Buçpapaj, me dashurinë për demokracinë amerikane dhe luftën e saj si një forcë e madhe e së mirës kundër tiranive të kohës. Në familjen tonë dëgjonim Zërin e Amerikës dhe Radio Vatikanin në kohën e errët të komunizmit, ku për herë të parë dëgjuam për Perden e Hekurt, për botën e lirë, për demokracinë dhe për lirinë e besimit.
Edhe pse familja jonë kishte traditë myslimane, ne respektonim lirinë fetare dhe të drejtën e çdo njeriu për të besuar, sepse demokracia amerikane na mësonte vlerat e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Në atë kohë qeshnim me akuzat dhe sulmet që Partia e Punës dhe Radio Tirana bënin kundër Amerikës dhe Perëndimit. Ne prisnim ditën kur Shqipëria do të hapej drejt botës së lirë, drejt demokracisë dhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si shumë shqiptarë të asaj kohe, ëndërronim të largoheshim drejt botës së lirë dhe të shkonim në Amerikë. Pse e bëj këtë histori të shkurtër? Sepse kjo marrëdhënie nuk është vetëm një marrëveshje politike e ditës, por është një lidhje historike e krijuar nga besimi, sakrificat dhe dashuria e shqiptarëve për lirinë.
Si nacionalist shqiptar, unë besoj te kombi shqiptar, te mbrojtja e interesave tona kombëtare dhe te forcimi i shtetit shqiptar. Jam krenar për shtetësinë amerikane që kam fituar që në vitin 1993, sepse Amerika për ne shqiptarët është atdheu i dytë.
Amerika ka qenë pranë shqiptarëve në momentet më të rëndësishme të historisë sonë. Ajo mbështeti ekzistencën e shtetit shqiptar në periudha të vështira historike, ishte në krah të shqiptarëve në luftën e Kosovës në vitin 1999 dhe luajti një rol vendimtar në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Për shqiptarët, Amerika nuk është vetëm një aleat politik, por është simbol i demokracisë, i lirisë dhe i mbrojtjes së popujve që kërkojnë të jetojnë të lirë.
Sot, me këtë marrëveshje të re ushtarake, Shqipëria ka një mundësi historike për të ringritur ushtrinë kombëtare shqiptare në një nivel të ri. Një ushtri moderne nuk ndërtohet vetëm me numër ushtarësh, por me teknologji të avancuar, trajnim profesional, inteligjencë ushtarake, mbrojtje ajrore, dronë, mbrojtje kibernetike dhe bashkëpunim të plotë me standardet e NATO-s.
Shqipëria duhet të ketë një ushtri të aftë për të mbrojtur atdheun e vet dhe për të qenë një faktor sigurie në rajon. Lufta moderne nuk zhvillohet më vetëm me armë tradicionale, por edhe në fushën e teknologjisë, informacionit, hapësirës kibernetike dhe sistemeve të avancuara të mbrojtjes. Prandaj duhet të investojmë në ushtri, në teknologji, në industrinë e mbrojtjes dhe në përgatitjen e brezave të rinj ushtarakë.
Amerika ka dhënë mesazhe të qarta për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit. Një Shqipëri e fortë ushtarakisht dhe një Kosovë e sigurt janë faktorë paqeje në Ballkan. Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një garanci strategjike për shqiptarët dhe një mesazh se paqja ruhet duke qenë të bashkuar dhe të përgatitur.
Në këtë moment historik, edhe opozita shqiptare duhet të tregojë përgjegjësi kombëtare. Mendoj se ishte një gabim që nuk mori pjesë në votimin e një marrëveshjeje kaq të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe aq më tepër që kjo çështje të kthehet në një betejë politike apo institucionale, sepse marrëveshje të tilla duhet të shihen mbi interesat partiake.
Nëse do të flisnim me gjuhën e ashpër të politikës së vjetër, dikush mund ta quante një qëndrim të tillë kundër interesit kombëtar. Por demokracia kërkon pjekuri politike. Opozita ka një rol të madh në një shtet demokratik: të kontrollojë qeverinë, të kritikojë dhe të propozojë alternativa, por jo të dobësojë çështjet që lidhen me sigurinë e Shqipërisë dhe aleancat tona strategjike.
Prandaj apeli im është: hiqni dorë nga përplasjet për çështje që duhet të na bashkojnë dhe bëni opozitë të fortë aty ku ka probleme reale të Shqipërisë. Lufta politike është pjesë e demokracisë, por mbrojtja kombëtare, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe siguria e vendit duhet të jenë mbi çdo interes partiak.
Shqiptarët sot përballen me sfida të mëdha. Lufta dhe pasiguria janë afër nesh. Historia na mëson se një komb që nuk përgatitet për të mbrojtur veten rrezikon të vuajë. Prandaj duhet të nderojmë dëshmorët tanë duke ndërtuar një shtet më të fortë, një ushtri moderne dhe një të ardhme më të sigurt.
Familja Buçpapaj dhe Nacional Media shprehin mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot kemi një mundësi historike: të ndërtojmë një Shqipëri më të sigurt, një ushtri moderne, një ekonomi më të fortë dhe një aleancë të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Amerika për shqiptarët ka qenë dhe mbetet një aleat i madh i lirisë dhe demokracisë. Zoti në qiell dhe forca e demokracisë në tokë janë shpresa e popujve të lirë. Shqipëria duhet të ecë përpara me dinjitet, me aleatët e saj dhe me një vizion të qartë kombëtar.