Sherri i shpërthyer pas vërshëllimës së fundit të finales së Botërorit, i shkaktuar nga futbollistët dhe stafi i Argjentinës ndaj Spanjës, e cila po përgatitej të festonte titullin e saj të dytë botëror, është një njollë e turpshme, për të cilën FIFA ka vendosur të ndërhyjë. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka ngarkuar zyrtarisht prokurorin disiplinor dhe etik të hetojë ngjarjet e ndodhura në stadiumin e Nju Xhersit, për të marrë masat përkatëse. Pasojat mund të jenë shumë të rënda, si për individët e përfshirë – Leandro Paredes, Nahuel Molina dhe Roberto Ayala nga stafi – ashtu edhe për vetë kombëtaren argjentinase.
Deklarata zyrtare e FIFA-s: “Shkelje të Kodit Disiplinor”
“FIFA ka emëruar një prokuror disiplinor dhe etik për të hetuar shkelje të mundshme të Kodit Disiplinor të FIFA-s, në përputhje me nenin 36 të Kodit Disiplinor. Detaje të mëtejshme do të bëhen publike nga Komisioni Disiplinor i FIFA-s pasi të përfundojë raporti i prokurorit.” Ky është fragmenti i komunikatës zyrtare që njofton hapjen e hetimeve për të verifikuar shkeljet e mundshme të Kodit Disiplinor dhe për të vendosur sanksione ndaj pjesëtarëve të Argjentinës.
Komisioni Disiplinor do të ketë një detyrë delikate. Ai do të analizojë videot e shumta të ngjarjeve pas ndeshjes, raportet zyrtare të arbitrit, dëshmitë e vëzhguesve dhe provat e mbledhura nga prokurori. Sanksionet do të vendosen pas raportit përfundimtar dhe mund të apelohen. Ato mund të prekin si futbollistët e përfshirë, ashtu edhe Federatën Argjentinase të Futbollit.
— FOLLOW:ABOKR10 (@ganoargentinatv) July 20, 2026
Kush rrezikon më shumë: Paredes, Molina dhe Ayala
Ai që rrezikon më shumë është Leandro Paredes, i cili akuzohet se goditi me dorë në qafë Eric Garcían, më pas u përplas edhe me Gavin dhe konsiderohet si iniciatori kryesor i sherrit. Ish-mesfushori i Romës u ndëshkua me karton të kuq pas përfundimit të ndeshjes, çka sjell automatikisht një pezullim. Nëse konfirmohet “sjellja e dhunshme”, ai rrezikon të paktën tre ndeshje pezullim. Nëse rasti klasifikohet si “sulm fizik” (assault), term që përdoret për rastet më të rënda të dhunës, pezullimi mund të nisë nga katër ndeshje ose më shumë. Vendimi mund të zbatohet si për ndeshjet e kombëtares, ashtu edhe për klubin ku aktivizohet.
Edhe Nahuel Molina rrezikon shumë. Ai akuzohet se goditi me grusht në bark Rodrin, kapitenin e Spanjës, ndërsa ky po vraponte për të festuar me shokët. Nëse gjesti i dhunshëm konfirmohet, edhe mbrojtësi i Atletico Madridit mund të pezullohet për të paktën tre ndeshje. Në hetim është përfshirë edhe Roberto Ayala, ish-futbollisti i njohur dhe aktualisht ndihmëstrajner i Argjentinës, i akuzuar se goditi Dani Olmon. Si pjesëtar i stafit teknik, ai mund të pezullohet nga pankina për disa ndeshje ose edhe për disa muaj.
Çfarë rrezikon Argjentina si kombëtare
Sanksionet mund të prekin edhe Federatën Argjentinase të Futbollit, e cila konsiderohet përgjegjëse për sjelljen e të licencuarve të saj. Dënimi më i zakonshëm është gjoba financiare, por nuk përjashtohet as zhvillimi i ndeshjeve me dyer të mbyllura ose me numër të kufizuar tifozësh, deri edhe detyrimi për të luajtur një numër të caktuar ndeshjesh në fushë neutrale.