Dyshime për përvetësim fondesh, Prokuroria bastis selinë e Partisë së Orban në Hungari

Një përplasje e re politike ka shpërthyer në Hungari, pasi prokurorët kanë kryer një kontroll në zyrat e partisë Fidesz, ku ndodhen edhe serverët e internetit të forcës politike të drejtuar më parë nga Viktor Orban.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Fidesz, e cila tashmë ndodhet në opozitë, pasi humbi pushtetin në zgjedhjet e fundit përballë partisë së re qeverisëse Tisza. Partia ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Peter Magyar se po tenton të pengojë funksionimin e saj dhe të godasë strukturat e saj politike.

“Prokurorët mbërritën pa paralajmërim në qendrën ku ndodhen serverët e partisë Fidesz, me qëllimin për të sekuestruar të gjithë sistemin e komunikimit dhe bazat e të dhënave të partisë”, deklaroi Fidesz përmes një reagimi në Facebook.

Sipas partisë së Orbanit, një veprim i tillë nuk ka ndodhur në Hungari që prej vitit 1990, pas rënies së regjimit komunist. Fidesz deklaroi se do të “luftojë kundër asaj që e cilësoi tirani agresive të Partisë Tisza”.

Nga ana tjetër, qeveria e re dhe kryeministri Peter Magyar kanë mohuar se po ndjekin një politikë autoritare ndaj kundërshtarëve politikë. Magyar deklaroi se pret të marrë informacion zyrtar nga zyra e prokurorit lidhur me aksionin.

Partia Tisza fitoi zgjedhjet e prillit duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Fidesz dhe Viktor Orbanit. Magyar ka premtuar rikthimin e institucioneve demokratike dhe afrimin e Hungarisë me linjën kryesore të Bashkimit Europian, pas vitesh përplasjesh mes Brukselit dhe qeverisë së Orbanit për çështje si sundimi i ligjit, korrupsioni dhe të drejtat e minoriteteve.

Fidesz, tashmë në opozitë, e ka akuzuar vazhdimisht qeverinë e re për sjellje autoritare, ndërsa Tisza ka deklaruar se prioritet i saj është lufta kundër korrupsionit, të cilin e ka cilësuar si një problem të madh gjatë qeverisjes së mëparshme.

Sipas mediave, kontrolli i prokurorisë lidhet me një hetim për dyshime mbi “përvetësim fondesh dhe vepra të tjera penale” në Fondin Kombëtar të Kulturës (NKA), sipas prokurorëve të qytetit jugor Bacs-Kiskun.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera për aksionin, ndërsa hetimi lidhet me vendime për dhënien e granteve nga NKA me vlerë mbi 17 miliardë forinta, rreth 53.9 milionë dollarë.

Disa zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë janë përfshirë në procedime penale lidhur me këto financime, por ata kanë mohuar akuzat.

Hetimi nisi pas pretendimeve se fondet shtetërore ishin shpërndarë në mënyrë jo transparente për artistë dhe organizata me lidhje me Fidesz. Partia e Viktor Orbanit i ka mohuar akuzat për korrupsion.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top