“Rama transportoi paratë jashtë përmes familjarëve”/ Berisha: Mediat heshtën për eurodeputetin çek

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të martë se mediat shqiptare kanë heshtur për pretendimet e eurodeputetit çek Tomáš Zdechovský ndaj kryeministrit Edi Rama.

Në konferencën për shtyp, Berisha iu referua një interviste që Zdechovský i kishte dhënë gazetarit Flavio Qarri, gjatë së cilës, sipas kreut të PD-së, eurodeputeti kishte pretenduar se Rama përdor familjarët për të transportuar para jashtë Shqipërisë.

“Kanë kaluar 24 orë dhe Edi Rama nuk ka hapur gojën. Nuk ka reaguar asnjë pjesëtar i familjes së tij”, tha Berisha.

Ai pretendoi se lajmi ishte fshehur nga mediat që, sipas tij, kontrollohen nga kreu i qeverisë.

“Imagjinoni se çfarë censure dhe çfarë kontrolli të rreptë ka Edi Rama mbi mediat, të cilat censurojnë akuzën publike të një eurodeputeti të njohur”, u shpreh kryetari i PD-së.


Berisha e cilësoi heshtjen e kryeministrit si të papranueshme dhe tha se mungesa e një reagimi e bënte pretendimin më të besueshëm.

“Edi Ramës i them se nuk mund ta kapërcesh me heshtje këtë aktakuzë të rëndë. Përkundrazi, me heshtjen tënde e bën atë edhe më të besueshme”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, pretendimi i eurodeputetit çek nuk ishte “një rrufe në qiell të hapur”, por vinte pas një serie akuzash të ngritura nga Partia Demokratike gjatë tri viteve të fundit.

Kreu demokrat përmendi edhe udhëtimet e kryeministrit me avion të posaçëm, duke pretenduar se “140 fluturime të Edi Ramës në dy vite me avion në dispozicion kanë ngjallur dyshime të ligjshme në mbarë Europën”.

Berisha bëri të ditur se PD-ja do ta paraqesë përsëri kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Sipas tij, ky komision duhet të hetojë pretendimet për transport parash. Kreu i opozitës u bëri thirrje mediave që të publikojnë deklaratën e eurodeputetit.

“Uroj që mediat të mos e censurojnë këtë deklaratë ‘bombë’ të një autoriteti në Parlamentin Europian”, tha ai.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top