Në Shqipëri, verat e fundit kanë sjellë gjithnjë rrezikun e zjarreve që përpijnë mijëra hektarë pyje e kullota, duke lënë pas dëme të mëdha mjedisore. Paralelisht me këtë kërcënim të përsëritur, premtimi për krijimin e një kapaciteti ajror zjarrfikës ka mbetur i pambajtur. Në janar 2026, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, deklaroi se Shqipëria ishte ende në proces për sigurimin e avionëve zjarrfikës, duke ndryshuar afatet e mëparshme të shpallura nga qeveria.
“Po blejmë dy avionë zjarrfikës, në terma afatmesëm do kemi katër. Në buxhetin 2026 është buxheti për 2. Jemi duke negociuar kontratën”, deklaroi Vëngu.
Sipas tij, synimi ishte që njëri prej avionëve të mbërrinte gjatë këtij viti, por ai pranoi se operacionalizimi i plotë mund të kërkonte më shumë kohë.
“Afati operacional, duke ditur që do prodhohen për ne dhe duhet të formojmë edhe pilotët, na çon në 2027 për t’i pasur në veprimtari zjarrfikëse”, shtoi ministri.
Ministria nuk jep statusin e kontratës
Faktoje iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes për të mësuar se në çfarë faze ndodhet procesi i blerjes së dy avionëve zjarrfikës. Përgjigjja e institucionit nuk jep të dhëna konkrete mbi kontratën.
“Informacioni lidhur me kontratën e cilësuar do të detajohet në një komunikim të mëvonshëm”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Kjo përgjigje vjen pas një serie deklaratash të ndryshme nga zyrtarët e mbrojtjes për të njëjtën çështje. Në gusht 2025, ministri Pirro Vëngu deklaronte se procedura ishte përfunduar:
“Kemi alokuar fonde dhe kemi përfunduar procesin për blerjen e dy avionëve zjarrfikës. Buxheti është i siguruar dhe procedurat për blerjen e tyre janë realizuar”, deklaronte ai.
Por pas një kërkese për informacion nga Faktoje, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se procesi ishte ende në zhvillim dhe se nuk bëhej fjalë për avionë zjarrfikës të dedikuar, por për avionë shumërolësh me përdorime të tjera, përfshirë edhe kapacitete për ndërhyrje në zjarre.
2025, një nga vitet më të rënda për zjarret
Ndërsa procesi për avionët vijon, zjarret kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Sipas të dhënave të Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), pjesë e shërbimit Copernicus, gjatë vitit 2025 në Shqipëri u regjistruan 132 zjarre, që dogjën rreth 59,933 hektarë sipërfaqe me pyje dhe kullota.
Për vitin 2026, të dhënat e përditësuara të EFFIS tregojnë deri tani 9 zjarre dhe rreth 528 hektarë sipërfaqe të djegur.

Megjithatë, rreziku mbetet i lartë. Shërbimet europiane të monitorimit të klimës kanë paralajmëruar se temperaturat ekstreme dhe kushtet e thata po rrisin rrezikun e zjarreve në Europë. Copernicus ka raportuar se vitet e fundit kanë qenë ndër më të nxehtat e regjistruara, me 2025 si një nga vitet më të nxehta në historinë e matjeve.
Nga premtimi i Peleshit te “legjenda” e dy avionëve
Premtimi për avionët zjarrfikës nuk është i ri. Në janar 2023, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se Shqipëria do të blinte dy avionë shumërolësh për ndërhyrje në raste zjarresh dhe emergjencash.
“Janë disa mjete më modeste në kosto, më të manovrueshme dhe më të përshtatshme për situatat tona të zjarreve”, deklaroi Peleshi.
Një vit më pas, në tetor 2024, Faktoje verifikoi se avionët nuk ishin blerë ende. Ministria parashikonte që ata të viheshin në funksion në fund të vitit 2025 ose në fillim të vitit 2026.
Në mars 2025, gjatë fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama premtoi se avionët do të ishin në dispozicion që atë verë. Por disa muaj më pas (në korrik 2025) Ministria e Mbrojtjes konfirmoi për Faktoje se Forcat e Armatosura nuk dispononin asnjë avion zjarrfikës.
Sot, në mesin e vitit 2026, pas disa afateve të ndryshuara, statusi i kontratës për dy avionët mbetet ende i paqartë. Afati i radhës për vënien në funksion të tyre është shtyrë drejt vitit 2027, sepse, përveç prodhimit të avionëve, nevojitet edhe trajnimi i pilotëve përpara se ata të mund të përdoren në operacione zjarrfikëse.
Përfundim
Çdo vit, bashkë me rrezikun e zjarreve, rikthehet edhe historia e avionëve zjarrfikës. Nga deklaratat e ministrave te zotimet e kryeministrit, publiku ka dëgjuar shpesh në sezon vere apo në fushata se avionët do të mbërrijnë “së shpejti”. Por ndërsa flakët vazhdojnë të përpijnë sipërfaqe të gjera, avionët mbeten ende në letër, në kontrata të paqarta dhe afate të ndryshuara. Derisa kontrata të bëhet transparente dhe avionët të mbërrijnë, “legjenda e dy avionëve zjarrfikës” do të vazhdojë.