Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e fundit plenare të këtij sezoni parlamentar. Seanca do të hapej me një interpelancë të kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, me ministrin e Financave, Petrit Malaj. Megjithatë, PD ka paralajmëruar se do të vijojë bojkotin e Kuvendit derisa mazhoranca të marrë në shqyrtim kërkesat e protestuesve.
Deputetët pritet të votojnë një sërë projektligjesh që lidhen me bujqësinë, akuakulturën, menaxhimin e kimikateve dhe mbrojtjen e tokës bujqësore. Në rend dite janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë huanë me BERZH për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Një pjesë e madhe e seancës do t’i kushtohet miratimit të rezolutave për veprimtarinë e institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025, mes tyre KQZ, Banka e Shqipërisë, AKEP, AMA, RTSH, ERE, INSTAT dhe ILDKPKI. Mbetet për t’u parë nëse para Kuvendit do të zhvillohet protestë, si në seancat e mëparshme, si dhe nëse deputetët e opozitës do t’i japin fund bojkotit, pas debateve të brendshme që kanë shoqëruar këtë vendim.