Një zjarr i fuqishëm ka shkaktuar pasoja të rënda në një kantier ndërtimi në qendër të Brukselit, ku dyshohet se disa persona kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për gjashtë punëtorë të zhdukur.
Ngjarja ndodhi të martën në projektin e rinovimit në sheshin “Place de Brouckere”. Gjatë ndërhyrjes, ekipet kanë gjetur trupa në njërin prej dy ashensorëve të objektit, por ende nuk është konfirmuar nëse ata janë personat e raportuar si të zhdukur.
Sipas inspektoratit të punës në kryeqytetin belg, identifikimi i viktimave dhe përcaktimi i rrethanave të sakta të ngjarjes pritet të vazhdojë, raporton Reuters.
Në momentin kur shpërtheu zjarri, në kantier ndodheshin mbi 200 punëtorë. Tre persona janë transportuar për trajtim mjekësor, ndërsa ekipet emergjente vazhdojnë operacionet në vendngjarje.