Dita 44 e protestës/ Pas akuzave për 4 mln eurot e koncertit, sot aktivistët shkojnë në SPAK për review-t

Protesta qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës vijon edhe këtë të hënë, duke hyrë në ditën e 44-të radhazi. Një ditë më parë, mijëra qytetarë u mblodhën në Sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë.

Gjatë tubimit para Kryeministrisë, folës të ndryshëm ngritën shqetësime për situatën ekonomike, emigracionin, bujqësinë dhe korrupsionin. Një nga temat që dominoi protestën ishte financimi me mbi 4 milionë euro nga fondi i emergjencave për koncertin e Kanye West. Këtë vendim protestuesit e cilësuan të papranueshëm në kushtet kur, sipas tyre, vendi përballet me probleme shumë më urgjente. Protestuesit kritikuan qeverinë për mënyrën se si po përdoren fondet publike. Ata kërkuan që prioritet t’u jepet fermerëve, pensionistëve, shëndetësisë dhe infrastrukturës.

Aktivistët njoftuan gjithashtu se gjatë ditës së sotme do të depozitojnë në SPAK një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Sipas tyre, kallëzimi lidhet me deklaratat për hetimin e personave që kanë publikuar komente dhe vlerësime negative në internet ndaj bizneseve që ata i konsiderojnë të lidhura me qeverinë.

Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, protesta u mbyll me një marshim në rrugët e kryeqytetit, ku mijëra qytetarë kaluan përmes zonës së ish-Bllokut me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje edhe sot, duke theksuar se protesta do të vazhdojë çdo mbrëmje deri në plotësimin e kërkesave të tyre, me në krye dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top