Belgjikë-Senegal 3-2 në ndeshjen e vlefshme për 1/16-at e finaleve të Botërorit, e zhvilluar në Seattle. Senegali kaloi në avantazh të dyfishtë me golat e Diarra (25’ pjesa e parë) dhe Sarr (6’ pjesa e dytë). Belgjika barazoi në minutat e fundit falë Lukakut (41’) dhe Tielemans (44’). Më pas, në kohën shtesë të dytë, ishte sërish Tielemans ai që realizoi nga pika e bardhë – penallti të cilën e fitoi vetë – duke i dhënë Belgjikës kualifikimin në 1/8-at e finaleve. Tashmë belgët do të përballen me Shtetet e Bashkuara.
Mund ta kontrollosh një ndeshje pothuajse deri në fund, të krijosh epërsi 2-0 dhe më pas të shpërdorosh një fitore plotësisht të merituar brenda katër minutash. Pikërisht këtë bëri Senegali në Seattle, në sfidën e 1/16-ave ndaj Belgjikës, e cila përfundoi 3-2. Një gol në pjesën e parë nga Diarra dhe dyfishimi në fillim të pjesës së dytë nga Ismaila Sarr dukeshin se po i siguronin “Luanëve të Terangës” një kualifikim të dytë radhazi në 1/8-at e finaleve. Por Lukaku në minutën e 41-të dhe Tielemans në të 44-ën të pjesës së dytë rikthyen baraspeshën, duke e çuar ndeshjen në shtesë. Dhe në minutat shtesë të pjesës së dytë shtesë, kapiteni Tielemans fitoi dhe shndërroi në gol penalltinë që kompletoi përmbysjen e pabesueshme të Belgjikës, duke shmangur një eliminim që deri në ato momente dukej plotësisht i merituar. Për 86 minuta, “Luanët e Terangës” kishin dominuar fizikisht dhe teknikisht, duke treguar një pjekuri taktike befasuese.
Dominimi i Senegalit
Belgjika e nisi ndeshjen me ritëm të lartë, ndërsa Senegali u tregua më i qetë në ndërtimin e lojës. Gjuajtja e parë në kuadrat ishte e “Djajve të Kuq”, me Trossard në minutën e 9′, por Diaw priti pa vështirësi. Katër minuta më vonë, Senegali iu afrua golit të avantazhit: Diarra harkoi nga e majta, Courtois gaboi në dalje dhe Sarr goditi shtyllën. Me kalimin e minutave afrikanët fituan terren dhe Courtois u detyrua të ndalte edhe një goditje nga distanca të Gueye. Pas fillimit të kujdesshëm, Senegali mori kontrollin e lojës me personalitet dhe në minutën e 25′ gjeti avantazhin e merituar. Pas një tjetër krosimi të Mané, goditja me kokë e Sarr u ndal nga shtylla, por Diarra ishte më i shpejti për ta shtyrë topin në rrjetë. Belgjika shkoi në pushimin për freskim e tronditur dhe në disavantazh. Goli i pësuar nuk e zgjoi skuadrën e teknikut Garcia: ndërtimi i lojës nga prapavija mbeti i ngadaltë dhe as De Bruyne nuk arriti t’i ndryshonte ritmin ekipit.
Në anën tjetër, Senegali vazhdonte të lëvizte me kombinime të shpejta, si në aksionin ku Diarra nxori Mané përballë portës, por Courtois reagoi mirë. Në minutën e 45′ Belgjika pati një shkëndijë me De Cuyper nga distanca, por Diaw devijoi në këndore. Në fillim të pjesës së dytë, Garcia hodhi në fushë Lukakun në vend të De Ketelaere, duke kërkuar më shumë peshë në zonë. Mané shpëtoi sërish në krahun e majtë, por Diarra nuk arriti të shfrytëzonte pasimin e tij. Megjithatë goli i dytë ishte vetëm çështje kohe. Në minutën e 52′, një pasim perfekt nga mesfusha u kontrollua me shpatull nga Ismaila Sarr, i cili me të djathtën mposhti sërish Courtois, pavarësisht tentativës së Mechele dhe Theate për ta ndalur. Belgjika reagoi me ndryshime të tjera: dolën De Bruyne, shumë larg formës së tij, dhe Doku, ndërsa hynë Raskin dhe Lukebakio. U zëvendësua edhe Vanaken me Moreira.
Dy gola në tre minuita e penalltia e minutës së 125′
Një aksion individual i Lukebakio-s, me një goditje të harkuar që përfundoi shumë pranë shtyllës, paralajmëroi katër minutat që ndryshuan gjithçka. Në minutën e 86′ Lukaku shënoi për 2-1 pas një krosimi të Meunier. Tre minuta më vonë, Diaw gaboi rëndë në dalje pas një harkimi nga e majta dhe Tielemans devijoi topin në rrjetë për barazimin 2-2. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në kontaktin mes Camara dhe Tielemans brenda zonës së Senegalit. Gjyqtari u thirr nga VAR-i, pa pamjet në monitor dhe akordoi penalltinë që shpëtoi Belgjikën nga një eliminim i parakohshëm dhe zhyti në dëshpërim senegalezët, si në fushë ashtu edhe në tribuna.