Qytetarët nuk janë tërhequr nga protesta para Kuvendit, pavarësisht ndërhyrjes së Policisë, e cila që në momentet e para shoqëroi dhe arrestoi disa prej pjesëmarrësve.
Pas më shumë se dy orësh protestë, të shoqëruar me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, “Arrestoni Ramën” dhe “Parlamenti i krimit”, situata u tensionua. Protestuesit hodhën vezë dhe miell në drejtim të godinës së Kuvendit dhe automjeteve të disa deputetëve, ndërsa Policia iu përgjigj me përdorimin e gazit lotsjellës.
Më pas, organizatorët u bënë thirrje qytetarëve që të marshonin drejt Komisariateve nr. 1 dhe nr. 4 në Tiranë, ku po mbaheshin të shoqëruar protestuesit e arrestuar.
“Qytetarë, të shkojmë të gjithë te Komisariatet nr. 1 dhe 4 për të liruar çunat tanë”, u dëgjua në megafon nga një prej aktivistëve.
Një pjesë e protestuesve iu bashkua marshimit drejt komisariateve, ndërsa të tjerë mbetën para Kuvendit, ku vijuan përballjen me forcat e Policisë, duke ruajtur pozicionet përballë kordonit policor.
Tensionet para Parlamentit vazhdojnë, ndërsa protestuesit nuk kanë ndalur thirrjet “Parlament i krimit” dhe “Arrestoni Ramën”. Për shkak të situatës, në hyrje të Kuvendit janë dislokuar edhe efektivë të FNSH-së.