Gjithçka ishte tepër e lehtë për Francën, e cila në 1/16 e finaleve mposhti Suedinë me rezultatin 3-0 dhe siguroi kualifikimin në 1/8, ku do të përballet me Paraguain. Skuadra e Didier Deschamps dominoi ndeshjen dhe goditi dy herë shtyllën me Kylian Mbappé dhe Michael Olise (me një roveshatë spektakolare), përpara se Mbappé të shpikte golin e avantazhit 1-0 në minutën e 45′. Në pjesën e dytë Barcola dyfishoi shifrat në minutën e 53′, ndërsa në të 74′ Mbappé realizoi golin e dytë personal për rezultatin përfundimtar 3-0. Të dy golat erdhën pas pasimeve brilante të Olise, i cili vazhdon të mos gjejë ende rrugën e rrjetës.
Franca fluturon drejt 1/8-ave falë një tjetër paraqitjeje të jashtëzakonshme të Kylian Mbappé dhe Michael Olise. Sulmuesi i Real Madridit iu afrua golit që në fillim, por goditi shtyllën pas një aksioni të bukur të Koundé. Pak minuta më vonë edhe Olise provoi një roveshatë spektakolare nga distanca, por edhe ai u ndal nga shtylla. Në fundin e pjesës së parë “Gjelat” zhbllokuan sfidën. Pas një goditjeje nga këndi të fituar sërish nga Olise, Mbappé kaloi me driblim dy mbrojtës suedezë dhe realizoi një gol fantastik në shtyllën e dytë nga një kënd shumë i vështirë në minutën e 45′.
Edhe pas pushimit Franca vazhdoi të sulmonte dhe në minutën e 53′ erdhi goli i dytë. Olise dha një pasim të shkëlqyer për depërtimin e Barcola, i cili nuk gaboi dhe shënoi golin e tij të dytë në këtë Botëror. Me Suedinë tashmë të dorëzuar, Olise kërkoi me ngulm golin e tij të parë në Kupën e Botës, por në minutën e 74′ u desh të kënaqej me një tjetër asist magjik. Pasimi i tij në thellësi gjeti Mbappé, i cili realizoi dopietën personale dhe barazoi Lionel Messin në krye të renditjes së golashënuesve me 6 gola. Franca fitoi 3-0 dhe siguroi një duel me Paraguain në 1/8-at, ndërsa Mbappé tashmë numëron 18 gola në po aq ndeshje të Kupës së Botës gjatë karrierës së tij.