Sot në orën 19:00 do të mbahet protesta e 28-të radhazi në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ku pritet t’u bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora.
Tubimi do të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të përsërisin kërkesën e tyre kryesore e cilësuar si e panegociueshme, atë të dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij. Ashtu si ditët e mëparshme, protesta pritet të shoqërohet me fjalime, pankarta dhe marshim në rrugët e kryeqytetit.
Kërkesat kryesore të protestuesve janë: dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë; krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor; ndryshime kushtetuese me referendum popullor; anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.