Franca e mbylli Grupin I të Botërorit 2026 duke mposhtur 4-1 Norvegjinë në ndeshjen e tretë. Sapo nisi takimi, Mbappe goditi traversën, ndërsa më pas kapiteni i Francës u shndërrua në protagonist me asistet: shërbeu për golin e 1-0 të Dembeles në minutën e 7′ dhe për kryeveprën e fituesit të “Topit të Artë” në minutën e 20′. Vetëm pak sekonda më vonë, skandinavët ngushtuan diferencën me Aasgaard (21’), por ishte sërish Dembele ai që mbylli llogaritë në minutën e 32′. Maignan priti penalltinë e Larsen në minutën e 50′, ndërsa Doué vulosi fitoren me golin e katërt në minutën e 94′. Franca e mbylli fazën e grupeve me pikë të plota, duke regjistruar fitoren e tretë në po aq ndeshje pas suksesit 4-1 ndaj Norvegjisë. Mbappe u bë menjëherë protagonist me traversën e goditur, por ylli i mbrëmjes ishte Ousmane Dembele.
Në minutën e 7′, fituesi i “Topit të Artë” shfrytëzoi asistin e Mbappes dhe realizoi golin e avantazhit, ndërsa në minutën e 20′, sërish pas një pasimi të sulmuesit të Real Madridit, shpiku një supergol për të dyfishuar rezultatin.Skandinavët reaguan menjëherë dhe, pas rifillimit të lojës, ngushtuan diferencën në minutën e 21′ me goditjen e saktë të Aasgaard pas një lëvizjeje mashtruese. Megjithatë, cilësia e francezëve ishte e jashtëzakonshme dhe në minutën e 32′ Dembele kompletoi tripletën e tij të mrekullueshme, këtë herë pas asistit të Tchouameni.
Në fund të pjesës së parë, skuadra e Deschamps (mungonte për shkak të ndarjes nga jeta të nënës së tij) ishte në avantazh me dy gola, por në fillimin e pjesës së dytë Norvegjia nuk u dorëzua. Bobb fitoi një penallti, por në minutën e 50′ Strand Larsen (i preferuar në vend të Haaland, që qëndroi 90 minuta në stol) u ndal nga një pritje spektakolare e Maignan. Francezët e administruan lojën deri në fund, edhe pse Mbappe kërkoi me ngulm golin personal. Në minutat shtesë pati vend edhe për golin e katërt të Désiré Doué, i cili realizoi golin e tij të parë në këtë Botëror. Franca fitoi 4-1 dhe siguroi vendin e parë në grup, ndërsa Norvegjia e mbylli në vendin e dytë, duke vazhduar rrugëtimin në turne.
Senegali shkatërron Irakun dhe siguron kualifikimin në 1/16-at
Senegali u kualifikua mes tetë skuadrave më të mira të vendeve të treta, duke shkatërruar 5-0 Irakun në ndeshjen e fundit të Grupit I. Pas vetëm katër minutash, Diarra kaloi në avantazh afrikanët, ndërsa në minutën e 13-të irakianët mbetën me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Sulakës. Në pjesën e dytë, “Luanët e Terangës” shpërthyen: Sarr realizoi golin e dytë në minutën e 56-të, më pas Gueye shënoi dy herë, në minutat 59 dhe 71. Llogaritë i mbylli Ndiaye, i cili në minutën e 82-të shfrytëzoi edhe një asist të Gueye dhe vulosi fitoren e thellë 5-0.