Flamingoja, algoritmet dhe “Kumbari”: Metamorfozat e Ramës përballë protestës

Kur protestuesit dolën për herë të parë në rrugë kundër projektit në Zvërnec dhe Sazan, reagimi i Edi Ramës ishte ai i përhershmi përballë armikut: heshtja. Kryeministri zgjodhi të vijonte axhendën e tij politike dhe publike sikur protesta të mos ekzistonte. Strategjia klasike e injorimit, me shpresën se revolta do të zbehej vetvetiu.

Por protesta nuk u shua. Ajo u rrit. Kaloi javën e parë, më pas të dytën dhe të tretën, duke u shndërruar nga një reagim kundër projektit në Zvërnec në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, mënyrës së qeverisjes dhe mungesës së llogaridhënies. Me kalimin e ditëve, protesta nisi të tërhiqte vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të eurodeputetëve dhe të institucioneve europiane.

Në atë moment ndryshoi edhe qasja e kryeministrit. Rama doli publikisht në mbrojtje të projektit të Jared Kushner dhe Ivanka Trump. ‘Një mundësi historike për Shqipërinë’ ishte propaganda që Rama përdori për investimin. Në intervista për mediat ndërkombëtare ai mohoi çdo akuzë për korrupsion, hodhi poshtë lidhjet mes projektit dhe hetimeve të SPAK dhe këmbënguli se investitorët nuk kishin asnjë lidhje me pastrimin e parave. Absurditeti arriti majat kur sugjeroi se kundërshtarët e Trumpit, deri edhe Irani, kishin interes ta godisnin projektin dhe nxisnin tubimet.

Kur nuk i eci as me mediat kombëtare, e aq më pak ndërkombëtare (lexo edhe: Përplasja mes gazetares së CNN Isa Soares dhe kryeministrit Edi Rama) kryeministri ndryshoi mënyrën se si i qasej protestuesve. Nga një protestë që fillimisht nuk ekzistonte në komunikimin zyrtar, ajo u shndërrua në një protestë që, sipas Ramës, nuk buronte nga pakënaqësia qytetare, por nga ndikimi i rrjeteve sociale. Në një prej reagimeve të tij më të komentuara, kryeministri i cilësoi protestuesit si “proletariati i algoritmit”. Ai u përpoq të përbaltoste qëndresën qytetare me argumentin se zemërimi i popullit ushqehej nga influencerët, blogerët dhe algoritmet e platformave sociale.

Strategjia nuk u ndal te delegjitimimi i protestës. Me kalimin e ditëve, fokusi i kryeqeveritarit nisi të zhvendosej nga vetë kauza te individët. Figura të veçanta që morën pjesë ose mbështetën protestën u kthyen në objekt reagimesh politike dhe mediatike. Debati publik nisi të largohej nga çështjet që kishin nxjerrë qytetarët në rrugë dhe të përqendrohej te personazhet, deklaratat dhe polemikat e tyre. As kjo linjë nuk i eci. Protestuesit e kundërshtuan publikisht dhe e akuzuan se po përpiqej të shmangte debatin mbi problemet reale që kishin nxitur protestën.

Kur sarkazma nuk i eci, u përpoq me një ‘armë’ të vjetër, retorika agresive. Në intervistën për Financial Times Rama tha se vëmendja ndërkombëtare ndaj protestës nuk lidhej me Shqipërinë apo me flamingot, por me faktin që projekti përfshin Jared Kushnerin, dhëndrin e Donald Trump.

“Nuk jam unë Kumbari i Shqipërisë”, bërtiste Rama, “kundërshtarët të provojnë akuzat ose të…”

Katër javë pas protestës erdhi lëvizja më simbolike. Rama ndryshoi fotografinë e profilit dhe vendosi një flamingo, shpendin që prej javësh është kthyer në simbolin e protestës. Nuk do të ishte hera e parë që Edi Rama përpiqet të bëjë të vetat simbolet e kundërshtarëve për t’i nënçmuar. Përgjatë gjithë viteve të tij në politikë, ai ka ricikluar slogane, kauza dhe narrativa që fillimisht janë përdorur kundër tij. (kujtojmë rastin me patronazhistët)

Por fotografia lë vend edhe për një interpretim tjetër. Flamingoja nuk është në fluturim, por duke pastruar pendët. Në natyrë kjo është një sjellje e zakonshme, në politikë, simbolika mund të lexohet ndryshe. Sidomos në një moment kur qeveria përballet me presion në rritje. Sa herë qeveria është përballur me kriza apo skandale të forta, Edi Rama ka zgjedhur shpesh të riorganizojë kabinetin, të largojë ministra apo të ndryshojë ekipin, duke e kthyer “pastrimin” në një nga mënyrat e menaxhimit të kostos politike. Të jetë ky vallë një sinjal?

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top