Shqiptarët nga Kosova s’duhet të përzihen në demokracinë e Shqipërisë, por servilët nga gjithë bota janë të mirëpritur.
Arkitekti Reinier de Graaf, i studios holandeze OMA, i ka shkruar një letër nga zëmra Edi Ramës para zgjedhjeve. Aty arkitekti ndërkombëtar, që ligjëron edhe në Moskë, bën lutje që në Shqipëri të mos ketë më zgjedhje, të qeverisë edhe për mandatin e katërt, madje edhe të pestë, pse jo përjetë Rama, pse jo të shpallet dhe mbret.
Për këtë dëshirë të sinqertë arkitekti De Graaf tregon se niset nga interesi thjesht vetjak. “Ne arkitektët” thotë, varemi nga patronazhi politik, e ti po na jep punë. Në fakt Rama i ka dhënë De Graaf-it një lagje dendësisht monstruoze tej Ali Demit, me emrin “Mangalem 21”. Kaq mjafton që ai të dojë anulimin e demokracisë në Shqipëri dhe ta shpallë Ramën mbret. Dhe këtë e justifikon duke përmendur rrezikun nga autokracitë. Sipas mendjendriturit holandez, meqenëse autokracitë rrezikojnë zgjedhjet, le t’i anulojmë tërësisht zgjedhjet që të shpëtojmë.
E forta është që De Graaf i shkruan Ramës me tone ultraservile, duke i kërkuar falje që po e shqetëson me lavdata. Rama i kënaqun, e merr letrën e tij dhe e publikon te libri i vet kurratorial “The Albanian Files”, përndryshe lista e shumë krimeve urbane në Shqipëri.