Kërkesa e PD për mocion, Tabaku në Konferencën e Kryetarëve: Dëgjoni zërin e protestuesve! Bardhi: Raporti i PE iu nxin, mbrojtët korrupsionin e Ballukut

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, po diskutohet për kërkesën e Partisë Demokratike për të zhvilluar një mocion me debat për raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i cili mes të tjerash adreson edhe shqetësimet për ndërhyrje në zonat e mbrojtura dhe protestën e qytetarëve. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku i kërkoi maxhorancës që të heqin dorë nga sulmet e vazhdueshme që po bëjnë ndaj protestuesve që janë ngritur kundër qeverisë, dhe t’i dëgjojnë kërkesat e tyre.

“Ky Parlament është totalisht jashtë realitetit. Nëse ju, si mazhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, dhe që kanë kërkesa konkrete. Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian. Ju e keni raportin dhe po jua citoj këtu. Është Parlamenti Europian që ka diskutuar për zgjedhjet dhe për korrupsionin. Ka diskutuar për imunitetin e Belinda Ballukut dhe ka dënuar mbrojtjen politike që ju i garantuat. Protestuesit flasin për gjendjen e vështirë ekonomike, një shqetësim që është ngritur edhe nga partnerët tanë europianë. Ata kanë folur edhe për ligje që e trajtojnë pronën publike si plaçkë korrupsioni. Keni ligjin për investimet strategjike, të cilin prej 10 vitesh vazhdoni ta shtyni. Ndërkohë, nuk keni asnjë investim strategjik të mirëfilltë, por vetëm të ashtuquajtur investitorë që janë klientët tuaj. Prandaj, dëgjoni zërin e protestuesve dhe hiqni dorë nga sulmet ndaj tyre.”, tha Tabaku.

Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi maxhorancën socialiste se po i shmanget debatit për raportin e PE-së, pasi ky raport e nxin atë në çdo fjali që është shkruar në të.

“Ju kemi tmerr nga debati per Raportin e PE. Ju nxin ne çdo fjali. Taulant Balla vjen këtu dhe thotë të pavërteta. Është ai që në seancë ka thënë se mund të zhvillojmë një mocion me debat për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë edhe pa u miratuar më parë atje. Tani që raporti është miratuar, thotë se nuk mund të zhvillohet. Ju doni ta shmangni debatin mbi këtë raport, sepse ai ju nxin. Ndryshe nga sa përpiqeni ta paraqisni ju. Nëse është ashtu siç keni thënë, një medalje për qeverinë, hajde ta diskutojmë. Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian?”, tha Bardhi. Gjithashtu ai theksoi se maxhoranca ka propaganduar për një rezolutë sipas saj historike, ndërsa e sfidoi që “nuk e ka thjesht propagandë integrimin europian, atëherë e ka detyrë të zhvillojë këtë debat.”

“Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë. Gjeni paragrafin që ju vlerëson. Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që, sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë. Atëherë pse fshiheni? Apo e vërteta është një tjetër? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund. Ajo flet për ligje korruptive. Ju tërheq vëmendjen për mbrojtjen politike që i bëtë korrupsionit të Belinda Ballukut. Ju kritikon ashpër sa i përket ligjeve me porosi dhe ligjeve klienteliste. Ngre alarmin për lirinë e medias. Ju nuk mund ta mohoni këtë debat parlamentar. Keni qenë vetë ju, e përsëris, që në seancë keni thënë se debati parlamentar do të zhvillohet pasi raporti të miratohet në Parlamentin Europian. Kjo është një detyrë që ne duhet ta bëjmë. Nëse ky Kuvend nuk e ka thjesht propagandë integrimin europian, atëherë e ka detyrë të zhvillojë këtë debat.”, tha ai.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top