Qytetarët pritet të rikthehen edhe sot në shesh për protestën e 26-të radhazi. Tubuesit kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Pas më shumë se tre javësh demonstrata të pandërprera, protesta ka tejkaluar kauzën fillestare kundër projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec. Ajo është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit të të rinjve nga vendi. Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, qytetarët u mblodhën dje në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Pas fjalimeve, tubimi u shtri në disa nga rrugët kryesore të Tiranës. Organizatorët bënë thirrje për pjesëmarrje edhe në protestën e sotme, duke deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.