Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut po vazhdon të bjerë me ritme të shpejta. Sipas kursit zyrtar të Bankës të Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 94.62 lekë, një minimum i ri historik.
Kursi i këmbimit të Euros ka rënë me 2.2% që nga fillimi i vitit dhe me 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Agjentët e tregut valutor mendojnë se përshpejtimi i rënies së Euros i detyrohet, në radhë të parë, faktorit sezonal dhe turizmit. Nisja e sezonit të pushimeve verore ka shtuar natyrshëm numrin e vizitorëve të huaj dhe flukset valutore hyrëse. Sipas tyre, një zhvendosje në nivele më të ulëta e kursit në këtë periudhë është e pritshme dhe normale. Veçanërisht gjatë fundjavave, kur bankat nuk punojnë, flukset e valutës dhe kërkesa për Lekë bëhet veçanërisht e lartë dhe herë-herë e vështirë për t’u përballuar nga zyrat e këmbimit.
Sipas një anketimi të kryer brenda tregut me agjentët e këmbimit në banka dhe zyrat më të rëndësishme të këmbimit valutor, pritshmëritë janë që gjatë sezonit veror Euro mund të bjerë deri në nivelin e 92-93 lekëve.
Tregu i pasurive të paluajtshme gjithashtu ngelet një burim i rëndësishëm prurjesh valutore dhe ecuria e tij ngelet dinamike, veçanërisht në zonat bregdetare. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte u rritën përsëri në tremujorin e parë të vitit 2026. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Në veçanti, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohet të kenë arritur në 174 milionë euro, duke shënuar gjithashtu një rekord të ri historik për tremujorin e parë të vitit.
Sektori i pasurive të paluajtshme besohet se tërheq brenda vetes edhe sasi të konsiderueshme të të ardhurave nga aktivitete kriminale dhe informale. Vetëm këtë muaj, Prokuroria e Posaçme njoftoi zbulimin dy skemave të pastrimit të parave në vlera të mëdha në sektorin e ndërtimit.
Megjithatë, burime nga tregu valutor shprehen se këtë vit ka një forcim të ndjeshëm të kontrollit mbi pikat e këmbimit valutor, ndërsa rregullorja e re që miratoi Banka e Shqipërisë vitin e kaluar ka vendosur kufizime për këmbimet në para cash. Sipas tyre, sot është bërë më e vështirë të këmbesh shuma të mëdha në para fizike, pa kaluar nëpërmjet llogarive bankare. Rrjedhimisht, burimet mendojnë se aktualisht ndikimi i flukseve informale mbi kursin e këmbimit duhet të jetë në rënie.
Presioni i tregut për zhvlerësimin e Euros po forcohet, duke i bërë më pak të efektshme edhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë. Sipas burimeve nga tregu, Banka Qendrore ka vazhduar ndërhyrjet me blerje direkte valutore. Ndërhyrja e fundit është raportuar ditën e martë.
Vlera e këtyre blerjeve publikohet me vonesë në kohë prej afërsisht tre muajsh. Për këtë arsye, ende nuk është e qartë sa është vlera e blerjeve dhe ndikimi që ka pasur këtë vit Banka e Shqipërisë në kursin e këmbimit valutor.
Megjithatë, në periudhën 2024-2025 ajo ka blerë më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm dhe në mungesë të ndërhyrjeve të saj kursi Euro-Lek do të ishte në nivele ndjeshëm më të ulëta.
Ndërkohë që inflacioni po rritet, hapësirat e Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në treg po ngushtohen ndjeshëm. Me inflacionin që ka arritur nivelin 3%, blerjet e valutës nuk mund të justifikohen më me objektivin e stabilitetit të çmimeve.
Nga ana tjetër, një ndikim shtesë në forcimin e Lekut duket se po jep përsëri politika fiskale, nëpërmjet suficiteve shumë të mëdha buxhetore. Në fund të muajit maj, suficiti buxhetor kishte vlerën e 53.7 miliardë lekëve ose afërsisht 565 milionë eurove. Suficiti është rritur me 37% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke theksuar tashmë një prirje disavjeçare për të akumuluar suficite në pjesën më të madhe të vitit kalendarik. Tërheqja e sasive të mëdha të parasë nga qeveria ndikon gjithashtu në uljen e ofertës së Lekut dhe i thekson më shumë tendencat mbiçmuese të monedhës vendase.
