Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka reaguar në mbështetje të deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, pas mesazhit të fortë që kjo e fundit publikoi në rrjetet sociale, ku iu drejtua familjes Bajri duke paralajmëruar se nuk do të toleronte asnjë kërcënim ndaj familjes së saj.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkroi Koçeku në reagimin e saj, një deklaratë që ka nxitur debate të shumta në politikë dhe opinionin publik.
Pas këtij mesazhi, deputeti Redi Muçi shprehu solidaritetin e tij me Koçekun, duke e lidhur reagimin e saj me atë që ai e konsideron si një problem më të gjerë të ndërthurjes së politikës me botën e krimit.
“Shpreh solidaritetin dhe mbështetjen për kolegen Marjana Koçeku. Përtej çdo ndasie politike, ajo që ka përbashkuar me qindra mijëra protestues në shesh, ka qenë edhe refuzimi i përlyerjes së pushtetit politik me botën e krimit, e përdorimit të krimit si levë shantazhi. E kur shantazhi i drejtohet një deputeteje të Kuvendit, çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë të këtij vendi? RAMA, JEPE DORËHEQJEN!”, shkruan Muçi.
Marjana Koçeku prej disa ditësh ndodhet në qendër të debatit publik pas largimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe qëndrimeve të saj të fundit kundër shumicës qeverisëse, por thirrja e saj publike tregoi se presionet kanë dalë tanimë nga shinat politike dhe nën rrogoz është përfshirë edhe bota e krimit.