Lëvizja Vetëvendosje ka përforcuar pozitën e saj në Kuvendin e Kosovës pas përditësimit të rezultateve nga votat e ardhura me postë nga diaspora, duke siguruar një mandat shtesë. Sipas rezultateve të përditësuara, LVV-ja ka arritur në 52 ulëse parlamentare, një më shumë krahasuar me përllogaritjet e mëhershme pas numërimit të votave të rregullta.
Mandati shtesë është reflektuar në shpërndarjen e vendeve në Kuvend, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mbetet me 22 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të ketë 19 mandate, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës aktualisht numëron 7 ulëse.
Sipas rezultateve preliminare pas votimit të rregullt, LVV kishte fituar 42.95 për qind të votave, PDK 21.13 për qind, LDK 17.60 për qind dhe AAK 7.16 për qind. Rezultatet e votimit nga diaspora kanë ndikuar në shpërndarjen e mandateve, duke i dhënë LVV-së një avantazh shtesë në përbërjen e ardhshme parlamentare.