TË MBROJMË INVESTITORËT AMERIKANË DHE SHQIPTARÈ – INVESTIMI AMERIKAN ËSHTË FORCË EKONOMIKE DHE PAVARËSI KOMBËTARE
Nga Flamur Buçpapaj
Shqipëria duhet të mbrojë investitorët amerikanë, por njëkohësisht edhe investitorët shqiptarë, duke garantuar kushte të barabarta, siguri juridike dhe konkurrencë të ndershme për të gjithë. Çdo investim amerikan në Shqipëri nuk është thjesht një kapital ekonomik që hyn në vend, por një forcim i marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një garanci më e madhe për zhvillimin dhe pavarësinë ekonomike të vendit tonë.
E them këtë edhe nga përvoja ime personale. Kompania ime, TPLANI shpk, ka marrë pjesë disa herë në tenderë të organizuar nga Ambasada Amerikane në Shqipëri dhe gjatë viteve ka fituar disa prej tyre. Gjatë gjithë bashkëpunimit, përfaqësuesit e ambasadës janë sjellë me korrektësi, profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Asnjëherë nuk është kërkuar ryshfet, favorizim apo përqindje të paligjshme. Ky është modeli që duhet të ndjekë Shqipëria: një shtet ku respektohen rregullat, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe ku fiton më i miri.
Fatkeqësisht, në disa raste po krijohen pengesa artificiale ndaj investimeve të huaja, përfshirë edhe kompanitë amerikane. Edhe më shqetësuese është situata kur pengohen investitorët shqiptarë që mbështesin orientimin perëndimor dhe pro-amerikan të vendit. Kjo është një qasje e gabuar, sepse Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj duke larguar kapitalin, por duke e tërhequr dhe mbrojtur atë.
Është fat për Shqipërinë që kompani amerikane investojnë në bregdet dhe në çdo zonë tjetër të vendit. Për këtë arsye, ne duhet t’i mirëpresim, t’i mbështesim dhe t’u krijojmë kushte sa më të mira pune. Nuk duhet të ndodhë që investimet të pengohen nga presionet, bllokimet apo protestat që në shumë raste shkojnë përtej të drejtës demokratike për të protestuar dhe shndërrohen në sulm të drejtpërdrejtë ndaj biznesit dhe pronës private.
Çdo investitor, shqiptar apo i huaj, që respekton ligjin dhe investon në Shqipëri, duhet të përshëndetet. Ai sjell vende pune, krijon të ardhura për familjet shqiptare, paguan taksa dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit. Vetëm prokuroria dhe gjykatat kanë të drejtën të ndërhyjnë kur ka dyshime apo prova për korrupsion, vjedhje, mashtrim apo shkelje të ligjit. Askush tjetër nuk mund të marrë rolin e shtetit dhe të vendosë vetë se cili investim duhet të vazhdojë dhe cili jo.
Në momentin që shteti ka dhënë lejet përkatëse, ka miratuar procedurat ligjore dhe investitori ka blerë tokën ose e ka marrë atë me qira sipas ligjit, ai investim duhet të mbrohet. Kjo është një detyrë kushtetuese e shtetit dhe një garanci themelore e ekonomisë së tregut.
Një nga problemet më të mëdha që po shfaqet sot është ngatërrimi i demokracisë me sulmin ndaj pronës private. E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por ajo nuk mund të përdoret për të bllokuar apo shkatërruar aktivitetin e një biznesi të ligjshëm. Në momentin që protesta kthehet në mjet presioni ekonomik, në pengim të investimeve apo në intimidim të sipërmarrësve, ajo humbet karakterin demokratik dhe rrezikon të shndërrohet në një formë të gjobëvënies së organizuar.
Pasojat e kësaj qasjeje janë të rënda. Investitorët humbin besimin, projektet ngadalësohen ose anulohen, vendet e punës reduktohen dhe ekonomia kombëtare dëmtohet. Shqipëria humbet mundësi të rëndësishme zhvillimi, ndërsa imazhi i saj në arenën ndërkombëtare dëmtohet. Asnjë investitor serioz nuk investon në një vend ku siguria juridike vihet në diskutim çdo ditë.
Mesazhi i djeshëm i ambasadorit amerikan Van Horn për forcimin e shtetit ligjor, transparencën dhe mbështetjen e investimeve serioze duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për institucionet shqiptare. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke luftuar investitorët. Shqipëria zhvillohet duke mbrojtur ligjin, pronën private dhe konkurrencën e ndershme.
Nuk ka rëndësi nëse investitori quhet X shpk, apo çdo kompani tjetër. Parimi është universal: askush, qoftë individ, grup interesi apo kundërshtar ekonomik, nuk mund të shkatërrojë një investim që është ndërtuar mbi bazën e ligjit dhe të lejeve të dhëna nga shteti.
Mbrojtja e investitorëve nuk është mbrojtje e një biznesi të vetëm. Është mbrojtje e ekonomisë kombëtare, e vendeve të punës, e stabilitetit shoqëror dhe e së ardhmes së Shqipërisë. Prona private është e shenjtë dhe shteti ka detyrimin kushtetues ta mbrojë atë. Pa siguri juridike nuk ka investime, pa investime nuk ka zhvillim dhe pa zhvillim nuk ka mirëqenie.
Flamur Buçpapaj
TË MBROJMË INVESTITORËT AMERIKANË DHE SHQIPTARÈ – INVESTIMI AMERIKAN ËSHTË FORCË EKONOMIKE DHE PAVARËSI KOMBËTARE Nga Flamur Buçpapaj
- Radio Nacional
“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj
Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700