Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka treguar edhe një herë mbështetjen e saj për mikeshën dhe kolegen Bebe Rexha, vetëm pak orë pasi kjo e fundit publikoi albumin e saj më të ri, “Dirty Blonde”.
Rexha lansoi të premten albumin e katërt në karrierën e saj muzikore, një projekt që ka një rëndësi të veçantë për artisten, pasi është albumi i parë që ajo publikon si artiste e pavarur, pas përfundimit të bashkëpunimit me shtëpinë e saj të mëparshme diskografike.
Duke qenë se periudha e publikimit të një albumi është ndër më të rëndësishmet për çdo artist, Rita Ora nuk e kurseu përkrahjen për bashkëkombësen e saj.
Këngëtarja ndau në InstaStory kopertinën e albumit “Dirty Blonde”, duke i ftuar miliona ndjekësit e saj që të dëgjojnë projektin më të ri muzikor të Bebe Rexhës.
Miqësia mes Rita Orës dhe Bebe Rexhës daton prej shumë vitesh. Dy artistet kanë mbështetur vazhdimisht njëra-tjetrën në projektet muzikore dhe paraqitjet publike, duke dëshmuar se përtej suksesit individual, ato ruajnë një raport të fortë miqësor.