Me një gol në secilën pjesë, Australia u imponua 2-0 ndaj Turqisë së trajnerit Montella. Vendosën ndeshjen golat e Irankundës në minutën e 27’ dhe Metcalfe në të 75’: me këtë sukses Socceroos arrijnë kështu në krye me 3 pikë Shtetet e Bashkuara në Grupin D, ndërsa Calhanoglu me shokë mbeten në vendnumëro bashkë me Paraguajin.
Nis keq Kupa e Botës për teknikun Vincenzo Montella. Turqia e tij u mposht 2-0 nga një Australi që arriti të përmbysë parashikimet e pragndeshjes duke shfrytëzuar në maksimum kundërsulmet, ndërsa trajneri italian – që aktivizoi Yildiz vetëm në pjesën e dytë – duhet të përballet me rastet e shumta të shpërdoruara për gol. Në Vankuver, gjatë leximit të formacioneve, përveç mungesës së juventinit në formacionin titullar, bëri bujë edhe përjashtimi nga njëmbëdhjetëshja startuese i portierit Ryan, kapiten dhe lider i Socceroos, vendim i marrë nga trajneri Popovic: ai rezultoi të kishte të drejtë si për paraqitjen e shkëlqyer të portierit Beach, ashtu edhe për strategjinë taktike.
Në fakt, pas një fillimi të ekuilibruar, ku megjithatë Turqia ishte më e rrezikshme veçanërisht me lojtarin e Real Madrid, Arda Guler, Australia kaloi në avantazh në minutën e 27’ të pjesës së parë falë një kryevepre të sulmuesit 20-vjeçar Irankunda, i lindur në Tanzani në vitin 2006 nga një familje me origjinë nga Burundi. Pak minuta më vonë, kombëtarja turke iu afrua barazimit me një goditje të fortë nga distanca të Bardakci, e cila përfundoi në shtyllë.
Në pjesën e dytë, skenari nuk ndryshoi: Turqia pothuajse gjithmonë në gjysmën e fushës kundërshtare, por ustralia shënoi sërish falë një goditjeje të shkëlqyer me të majtën nga jashtë zonës të Metcalfe. Kështu skuadra e Montellës duhet të lëpijë plagët për një debutim për t’u harruar. Në raundin e ardhshëm të Grupit D, Turqia do të përballet me Paraguajin, që në ndeshjen e parë humbi 4-1 ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat nga ana e tyre do të përballen me një Australi të karikuar nga një sukses i papritur në prag të turneut. Krejt tjetër atmosferë për kombëtaren e Montellës, e cila ndaj Paraguajit nuk do të mund të gabojë më.