“Nuk mund të ndjehesh mirë pas dy humbjesh, kjo pastaj që është një hap mbrapa. Më vjen keq se nuk e deshëm, shpresoja që të bëja një ndeshje ndryshe. Por me shumë mundësi vuajtëm edhe pasojat e moskualifikimit në Botëor, ndoshta i sollëm në këto dy ndeshje”. Rolando Maran ka marrë humbjen e dytë në po kaq ndeshje, duke bërë startin më të keq të një trajneri në kombëtare në një dekadë. Tekniku italian megjithatë mundohet ta shohë gotën gjysmë plot: “Nuk duhet të jetë alibi, mua më shërbejnë për të kuptuar se çfarë duhet e çfarë nuk duhet bërë. Impenjimi ishte maksimal, por nga energjitë, skuadra e ka paguar pak moskualifikimin”.
Maran e kupton se gjërat nuk kanë shkuar fare si pritej: “Kemi bërë një hap mbrapa, kërkova gjëra ndryshe dhe në këtë periudhë me pak energji, nuk arritëm t’i bënim. Sipas meje bëmë më mirë me Izraelin në ndërtim, sot pësuam gol shpejt dhe u munduam të kërkonim rezultatin jo me atë që kishim provuar, por me instinktin. Kjo nuk duhet të ndodhë”. Tekniku sidoqoftë e pranon se është një fazë njohje në të cilën ka bërë zgjedhje që kanë rënduar punën e disa lojtarëve dhe kanë shkaktuar kaos në atë pikë ku dukeshim solid – në mbrojtje: “Mendoj se lojtarët janë, por edhe unë duhet të kuptoj dhe më duheshin këto ndeshje për eksperimente të veçanta. Kemi bërë të vuajnë mbrojtësit, se kanë nevoja të tjera për të qenë të mbuluar. Duhet ta metabolizoj unë dhe të ndihmoj ekipin. Më nevojiteshin se duhej të bënim teste për të kuptuar përgjigjet. Por e dija që po përballesha edhe me diçka që nuk funksiononte”.