Mijëra qytetarë të mbledhur në sheshin “Skënderbej” kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë në ditën e shtatë të protestave. Protestuesit mbajnë pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa gjatë ecjes kanë artikuluar thirrje kundër qeverisë.
Kolona e protestuesve po i drejtohet selisë së qeverisë nga disa akse të kryeqytetit. Atmosfera paraqitet e tensionuar, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime politike në vend.
Organizatorët e cilësojnë këtë si një nga tubimet më të mëdha të ditëve të fundit. Protestat kanë vijuar për një javë rresht, duke mbledhur qytetarë nga zona të ndryshme të vendit dhe nga diaspora. Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë anulimi i projekteve që ata i konsiderojnë të dëmshme për interesin publik, mbrojtja e pasurive kombëtare dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.