Shqipëria rikthehet sot në fushë për ndeshjen e dytë nën drejtimin e Rolando Maranit, me objektivin e qartë për t’i dhënë fund serisë negative të rezultateve. Përballë do të jetë Luksemburgu, një kundërshtar që në letër duket i përballueshëm, por që në të kaluarën ka ditur t’u hapë probleme kuqezinjve.
Edhe pse historia e përballjeve favorizon Shqipërinë, Luksemburgu nuk është një emër që mund të nënvlerësohet. Dy fitore të tyre ndaj kuqezinjve mbeten ende të freskëta në kujtesë. E para erdhi në eliminatoret e Euro 2012, kur Shqipëria u mposht 1-0, ndërsa humbja e fundit daton në qershorin e vitit 2017, kur Luksemburgu fitoi 2-1 në një takim miqësor.
Pikërisht ai rezultat i jep një motiv shtesë Shqipërisë për të kërkuar revanshin. Përtej rëndësisë së një miqësoreje, kuqezinjtë kanë nevojë të rikthejnë besimin dhe të hedhin themelet e një ecurie pozitive përpara angazhimeve zyrtare.
Maran gati për ndryshime, formacioni pritet të pësojë lëvizje
Rolando Maran e ka bërë të qartë se kjo periudhë do të shërbejë për të testuar alternativa dhe për të njohur më mirë grupin. Në konferencën për shtyp, tekniku italian la të kuptohet se do të ketë ndryshime në krahasim me ndeshjen e kaluar.
Në portë pritet të konfirmohet Alen Sherri, edhe pse gjatë takimit mund të ketë minuta edhe për Simonin. Në repartin defensiv, Hysaj dhe Mitaj pritet të mbulojnë krahët, ndërsa në qendër të mbrojtjes favoritë janë Gjimshiti dhe Cake. Mesfusha duket se do t’i besohet treshes Ramadani-Asllani-Hoxha, me Nedim Bajramin në rolin e fantazistit pas sulmuesve. Aktivizimi i tij nga minuta e parë do të nënkuptonte uljen në stol të Qazim Laçit.
Uzuni rikthehet, Broja udhëheq sulmin
Lajmi më i mirë për stafin teknik vjen nga rikuperimi i Myrto Uzunit. Sulmuesi kishte humbur ndeshjen e kaluar për shkak të një gjendjeje gripale, por tashmë është gati për t’u rikthyer në formacion. Me Anis Mehmetin jashtë për arsye shëndetësore, dyshja sulmuese pritet të përbëhet nga Armando Broja dhe Uzuni, dy lojtarë nga të cilët Maran pret jo vetëm gola, por edhe sinjale të rëndësishme për të ardhmen.
Për teknikun italian, ndeshja ndaj Luksemburgut është më shumë sesa një test miqësor. Është një mundësi për të nisur të ndërtojë identitetin e skuadrës së tij dhe për të rikthyer optimizmin te një Kombëtare që kërkon të lërë pas periudhën e vështirë dhe të hapë me sukses një epokë të re.