Sipas një zakoni të vjetër të pushtetarëve në hall, Edi Rama ka shpikur një anti-miting këtë të premte në Vlorë, në orën 18:30, me të cilin synon të sfidojë protestën e të rinjve që prej ditësh mblidhen në Tiranë.
Sebepi zyrtar është përvjetori i Partisë Socialiste, por që në momentin kur u njoftua, aktiviteti mori trajtat e një demonstrimi force përballë protestës që nis çdo pasdite në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protestues të të gjitha moshave, që refuzojnë të identifikohen me ndonjë parti politike, kanë mbushur bulevardin në përmasa surprizuese. Por përtej numrave, ajo që bie në sy është atmosfera. Entuziazmi në protestë, fantazia në pankarta dhe revolta në fjalime janë bio. Madje, pjesëmarrja në protestë është kthyer në një trend për moshat më të reja, gjë që e bën të vështirë organizimin e një anti-mitingu me të njëjtat ngjyra dhe të njëjtën energji.

Megjithatë, në anën e Ramës janë shifrat e fryra të administratës që kontrollohet nga Partia Socialiste, pagat mujore dhe një sistem i rreptë kontrolli mbi pjesëmarrjen në aktivitetet politike. “Kush flet në emër të shqiptarëve duhet të mos harrojë se unë përfaqësoj vullnetin e mbi 800 mijë shqiptarëve”, u shpreh Rama pak ditë më parë. Dhe sot është dita kur, me hir apo me pahir, ai do të përpiqet t’i mbledhë njerëzit e tij në sheshin e Vlorës, për të dëshmuar se ende gëzon mbështetje popullore.