Matematikani Joachim Klement ka parashikuar saktë fituesit e tre Botërorëve të fundit: provon edhe për vitin 2026

Joachim Klement është një matematikan gjerman që ka parashikuar saktë fituesit e tre edicioneve të fundit të Kupës së Botës në futboll: Gjermaninë e tij në Brazil më 2014, Francën në Rusi më 2018 dhe Argjentinën në Katar katër vite më parë. Tani Klement po provon sërish, duke përdorur të njëjtin model parashikues edhe për Botërorin 2026, i cili do të nisë pas një jave me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Sipas matematikanit, do të jetë Holanda e Ronald Koeman që do të triumfojë në finalen e madhe të 19 korrikut në MetLife Stadium në New Jersey.

Aspekti paradoksal i kësaj historie është se matematikani fillimisht kishte një objektiv krejt të kundërt nga ai i gjetjes së fituesit: ai synonte të demonstronte se parashikimi i fituesit të një turneu si Kupa e Botës ishte praktikisht i pamundur. Kështu, kur përdori modelin e tij në vitin 2014 dhe qëlloi saktë, mbeti i shokuar. “Edhe sepse të gjithë ekspertët kishin theksuar se asnjë skuadër evropiane nuk kishte fituar ndonjëherë një Botëror në Amerikën e Jugut”, shpjegoi ai.

Si funksionon modeli i matematikanit gjerman Joachim Klement për Botërorin
Modeli i krijuar nga Klement dhe i përdorur për parashikimet e tij merr parasysh faktorë të ndryshëm, duke nisur nga ai ekonomik. PBB-ja për frymë e çdo vendi konsiderohet shumë e rëndësishme, për shkak të lidhjes me infrastrukturën sportive të shtetit: më shumë pasuri do të thotë më shumë dhe më mirë impiante sportive.

Më pas merret në konsideratë madhësia e popullsisë dhe roli i futbollit në shoqërinë e secilit vend. Natyrisht, analizohen edhe elementë të lidhur drejtpërdrejt me sportin, si rezultatet dhe pozicioni më i fundit në renditjen botërore. Megjithatë, një pjesë e parashikimit varet thjesht nga rastësia, siç e pranon vetë matematikani pa asnjë problem.

“Është krejtësisht iracionale – tha Klement për Der Spiegel – Është si të luash lotari. Gjithmonë them se nëse dikush vendos bast bazuar në parashikimin tim për kampionin e ardhshëm të botës, atëherë nuk ka më shpresë për të. Është si të hedhësh një monedhë. Mund të parashikosh që do të dalë kokë katër herë radhazi në vend të pilit, dhe kjo mund të ndodhë. Por kjo nuk garanton që do të ndodhë sërish herën tjetër”. Ndërkohë, tri herë ka qëlluar…

Skema e Botërorit 2026 sipas parashikimit të Klement
Holanda ka qenë finaliste plot tri herë, e fundit në vitin 2010, kur u mposht nga Spanja në Afrikën e Jugut (1-0 pas kohës shtesë, me golin e Iniestës), por nuk e ka fituar kurrë Kupën e Botës.

Këtë herë, sipas Klement, ajo do të hakmerret duke mposhtur pikërisht “Furitë e Kuqe” në gjysmëfinale dhe më pas do të triumfojë ndaj Portugalisë së Cristiano Ronaldos në finale, pasi kjo e fundit të ketë eliminuar Anglinë. Ndërsa nga Franca, favoritja kryesore sipas shumëkujt, nuk ka asnjë gjurmë në modelin matematik “të pagabueshëm”…

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top