Detaje të reja janë zbardhur lidhur me operacionin tragjik në Maliq, ku 43-vjeçari Violand Braçellari vrau efektivin, Enea Mekolli, dhe la një tjetër të plagosur, Edison Adri. Brenda banesës së të kërkuarit u sekuestrua arma kallashnikov. Ajo dyshohet se u përdor ndaj policisë, së bashku me një sasi të konsiderueshme municioni. Po ashtu, janë gjetur pajisje të dyshimta, si radio-komunikimi të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit, dylbi dhe dronë, të cilët janë dërguar për ekspertizë për të zbardhur qëllimin e përdorimit të tyre.
Hetimet zbuluan se konflikti me ligjin kishte nisur kohë më parë. Më 3 qershor, një çoban i punësuar prej 15 ditësh në stallat e Braçellarit e kishte denoncuar 43-vjeçarin për kërcënim me jetë dhe mospagesë të pagës. Gjithashtu, rezulton se Braçellari ishte një person me precedentë. Në vitin 2004 ishte larguar nga shërbimi ushtarak vetëm tri ditë pas rekrutimit, rast për të cilin ishte ndjekur penalisht.